Rritet numri i përdoruesve të drogës
I mjaftoi vetëm një herë që të hyj në “lojë” dhe ta përdorë drogën, që pastaj të bëhet i varur prej saj për më shumë se 20 vjet.
”Gjithçka filloi si një lojë, derisa një ditë ma shkatërroj jetën”, kështu e fillon bisedën e tij një përdorues i drogës, i cili nuk pranoi që t’i dalë emri në gazetë. Ai kishte emigruar në Zvicër në vitet e 90-ta, dhe atje ishte takuar me një italiane me të cilën ishte martuar.
“Ajo kishte qenë duke përdorur drogë, unë isha i ri nuk kisha dëgjuar shumë për drogën, ajo ma rekomandoi që ta provoja dhe unë vendosa që të marr. Që nga ai moment jeta ime më është shkatërruar”, thotë përdoruesi i drogës.
Ai tregon se si kishte momente kur kishte marrë “overdos”, dhe se çdoherë ishte ndjerë keq e më keq.
“Në fillim është ndjenje e mirë, të duket sikur të relakson, mirëpo vjen një moment kur fillon të ndjesh dhembje dhe nuk mund të rrish pa e përdorur”, thotë ky përdorues droge.
Ai ndër të tjera tregon se asnjëherë nuk mund të kesh familje dhe të përdorësh drogë, tregon për djalin e tij të cilin e ka me ish-gruan shqiptare që jeton në Norvegji.
“Unë kam një djalë, me gruan që kam qenë i martuar, mirëpo nuk kam se si të shkoj tek ata, jam ende duke u shëruar nga droga, nuk mundem kështu të dal para djalit tim. Tash e kam kuptuar që e kam shkatërruar jetën time për hiç gjë. Më kanë kaluar vitet pa familjen time, pa djalin tim që rritet pa e parë, pa shoqërinë, pa asgjë. Dhe të gjitha këto me kanë ndodhur për një drogë që nuk ia vlen t’ia përmendesh as emrin e lëre më ta përdorësh”, thotë përdoruesi.
Ndërsa nga Qendra Mediko-Psikoterapike “Labyrinth”, Safet Blakaj ka thënë se është rritur numri i përdoruesve të drogës, por ka rënë numri i përdoruesve problematikë apo përdoruesve të varur nga droga.
“Vitin e kaluar kemi pasur rënie të numrit të personave që janë paraqitur për herë të parë në qendrën tonë, kryesisht është fjala për drogat e rëna siç është tipi heroinë, mirëpo sipas informacioneve tona të bazuara në raportime të klientëve tanë nuk ka ndryshim te çmimi të drogës, dhe megjithatë lehtë gjendet në treg”, ka thënë Blakaj.
Mosha që përdorin lëndë narkotike sipas Blakajt, sillet nga 16 deri në 22 vjeç, Përdoruesit, sipas tij, janë të gjinisë mashkullore duke lënë prapa gjininë femërore. Sipas tij, diku vetëm 9 për qind që përdorin femrat. Blakaj tregon edhe problemin e varshmërisë, duke thënë se paragjykimet ndonjëherë janë të panevojshme.
“Kur një person e sheh veten e tij që është varur nga droga, ai i tregon familjes, mirëpo ka familje që nuk dëshirojnë që rrethi të dijë që fëmija i tyre përdor drogë, kështu kalojnë disa vite, dhe për atë person bëhet vonë edhe për t’u shëruar”, ka thënë Blakaj.
Ai shprehet i shqetësuar me atë që shumë familje nuk i dinë dëmet e drogës dhe rreziqet e saj.
“Kemi familje që vinë të kërkojnë ndihmë për fëmijët e tyre, sepse nuk dinë as si të sillen me ta, pasi që nuk janë shumë të informuar se çfarë është droga dhe se sa e dëmshme është”, ka thënë Blakaj.
Qendra “Labyrinth” bën trajtime ditore për varësit e drogave dhe iu ndihmon me analiza për përdoruesit e drogës.
Ndërsa psikologja Dafina Muçaj ka thënë se duhet të këtë më shumë informacion për drogën dhe pasojat e saj.
“Punoj në seanca të shumta si me familjarë ashtu edhe me vetë përdoruesit, ajo çka është problematike është se nuk janë shumë të informuar rreth drogës, sidomos familjaret, ata kërkojnë ndihmë se si të sillen me fëmijën e tyre,” thotë Muçaj.
Ndërsa, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, ka pasur rritje si të të dyshuarve që janë marrë me drogë si dhe të konfiskimit të lëndëve narkotike.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, përgjatë vitit 2012 janë konfiskuar 34 kilogramë më tepër heroinë sesa përgjatë vitit 2011. Derisa në vitin 2011 ishin konfiskuar 60 kg heroinë, gjatë vitit 2012 janë konfiskuar 94 kilogramë.
Ndërkaq, konfiskimi i mariuhanës është rritur për më shumë se 400 për qind. Derisa në vitin 2011 policia ka konfiskuar 216 kilogram, në vitin 2012 policia ka konfiskuar 1237 kilogramë.
Për këto vepra penale Policia e Kosovës gjatë vitit 2011 kishte pasur 407 raste, ndërsa në vitin 2012, ky numër është rritur duke shkuar në 527 raste. Të dyshuar nga 577 raste në vitin 2011, ka pasur rritje ne 818 në vitin 2012. Të arrestuar për vitin 2011 kishin qenë 547 raste, kurse në vitin 2012 576 raste./Zëri/