Riformatimi pas bisedimeve
Hashim Thaçi pritet riformatojë Qeverinë menjëherë pas kthimit nga raundi i tetë i bisedimeve që mbahet më 2 prill në Bruksel. Pothuajse është e sigurt që Besim Beqaj do të largohet nga posti për t’ia lëshuar vendin kandidatit të AKR-së.
Me t’u kthyer nga takimi i ashtuquajtur historik në Bruksel, kreu i Qeverisë së Kosovës e ka ndërmend t’ia kthejë vëmendjen punëve të shtëpisë.
Burime të “Express” thonë se Hashim Thaçi pas datës 3 prill do ta përmbyllë riformatimin e kabinetit qeveritar.
“Posa të kthehet prej Brukselit, Kryeministri do ta kryejë çështjen e riformatimit”, ka thënë burimi.
E, zyrtarët e kabinetit Thaçi ndërkaq nuk pranojnë të flasin për këtë proces, pavarësisht se nuk mohojnë atë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha të enjten për “Express”, vetëm se nuk është i informuar për këtë. “Nuk kam informata për riformatimin”, ishte përgjigja e Kuçit.
Planin për ridizajnimin e kabinetit të tij, Thaçi ndërkaq e kishte thurur së bashku me Behgjet Pacollin së fundi në New York.
Burime të “Express” patën bërë të ditur se Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, është një prej atyre që do të lëvizet nga posti.
Sipas, burimeve të “Express”, Thaçi vendimin për shkarkimin e Beqajt e ka marrë për shkak të dështimit të këtij Ministri në realizimin e projekteve më madhore ekonomike në vend, si shitja e Valës dhe ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re.
Ndërsa është pikërisht MZHE, ajo të cilën partia e Behgjet Pacollit po ia kërkon Hashim Thaçit në emër të marrëveshjes së koalicionit. AKR madje e ka dhënë edhe kandidatin e saj për atë Ministri.
Drejtori aktual i KOSTT-it, Fadil Ismaili ka deklaruar për “Express” se ka ofertë për të udhëhequr MZHE-në.
“Po, është biseduar, është biseduar domethënë para një kohe, por ende nuk ka diçka konkrete, varet prej zhvillimeve në vend, varet prej Qeverisë së çfarë planesh kanë”, ka thënë Ismaili.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të marrë përsipër udhëheqjen e këtij dikasteri, që është aktualisht edhe më i kritikuari, Ismaili la të kuptohet se do ta bënte një gjë të tillë.
“Po unë do ta analizojë normalisht një ofertë të tillë dhe krejt varet domethënë se si po sillen çështjet tjera”, ka thënë Ismaili. /Telegrafi/