LDK: Qeveria Thaçi ka devijuar
Sipas LDK-së, Qeveria Thaçi ka devijuar nga rruga e duhur e zhvillimit ekonomik. Në anën tjetër, Kryeministri Thaçi ka folur para deputetëve për të arriturat e qeverisë në drejtim të rritjes ekonomike.Sipas Thaçit, tani ,qytetarët kanë standard jetësor dhe mirëqenie më të mirë. “Qytetarët kanë standard jetësor shumë më të mirë se më herët. Aktiviteti ekonomik është shtuar , zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka ndikuar në zgjerimin e bazës tatimore duke mundësuar rritjen e të hyrave buxhetore në 14 %”. Thaçi vlerësoi se punëtorët kosovar janë trajtuar në mënyre fyese nga qeveritë e mëparshme.
“Duke qentë të zotuar për mirëqenien e qytetarëve ne kemi punuar në politikat për rritjen e pagave, kemi marrë dy herë vendime për rritjen e pagave në sektorin publik, me qëllim ngritjen e produktivitetit në punë. Institucionet e mëparshme i kanë trajtuar në mënyrë fyese punëtorët kosovar. Ne kemi rritur pagat në shëndetësi përmbi 90%, profesorët universitarë mbi 100%, për policët mbi 55%, pagat për arsimtarët 50% , pagat për gjithë shërbyesit civil mbi 45% etj”, ka shtuar Thaçi.
Madje, ai ka paralajmëruar një rritje tjetër pagash në sektorin publik. “Qeveria nuk do të mjaftohet me këtë rritje pagash, por ne jemi duke shqyrtuar mundësi për rritjen tjetër të pagave gjatë këtij mandati për sektorin publik”, ka shtuar Thaçi./standardi.info