Jahjaga uron besimtarët katolikë për Pashkët
Me rastin e Festës së Pashkëve, presidentja Atifete Jahjaga ka uruar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, si dhe të gjithë besimtarët katolikë.
“Lutem që kjo festë e madhe t’ju gjejë me shëndet të mirë, me gëzime e begati, mes më të dashurve tuaj. Dita e Pashkëve është dita e shenjtë e ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe e ripërtëritjes së besimit te Zoti. Ditë e shpresës, e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e paqes, e dashurisë, e njohjes dhe e përqafimit të vlerave njerëzore. Ndaj, le të shërbejë kjo ditë për të menduar e për të përmirësuar veten tonë.
Në këtë ditë, le të përkujtojmë sakrificat dhe vlerat e njerëzve që nuk janë në mesin tonë, le të shtojmë respektin për njerëzit me të cilët jetojmë dhe le të ndërtojmë bashkërisht një të ardhme më të mirë”, thuhet pos tjerash në urimin e presidentes së vendit.