Hasani e Kuçi ia avancojnë të bijën dekanit
Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Bajram Ukaj, i ka krijuar të gjitha parakushtet që vajza e tij, Valëza Ukaj, të punësohet në këtë fakultet si asistente e re në Katedrën Ndërkombëtare.
Për t’ia mundësuar të bijës këtë, ai është ndihmuar edhe nga tre profesorët e tjerë, Enver Hasani, Hajredin Kuçi dhe Asllan Bilalli. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Hasani e ka udhëhequr Komisionin Recensues, ndërsa dy profesorët e tjerë, Kuçi e Bilalli kanë qenë anëtarë të këtij komisioni. Të gjithë së bashku ia kanë shkruar recensionin të bijës së dekanit, shkruan gazeta “Zëri”.
Gazeta e ka siguruar raportin e këtij komisioni, në të cilin shihet se si vajza e dekanit i ka “mundur” njëzetekatër kandidatët që sikurse ajo kanë konkurruar për t’u bërë asistent në Fakultetin Juridik, për të ligjëruar Grup Lëndësh në Katedrën Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik.
Në fakt, nga kandidatët që kanë konkurruar, Hasani, Kuçi dhe Bilalli ua kanë shkruar recensionin edhe dy të tjerëve, Dafina Buçaj dhe Dren Doli, por është Senati i Universitetit të Prishtinës ai i cili do të vendosë nëse këta tre kandidatë do të punësohen ose jo në Fakultetin Juridik.
Për ta bërë vajzën e dekanit asistente, ky komision, dy anëtarët e të cilët, Hasani e Kuçi janë deklaruar se punën në universitet nuk e kanë si punë të rregullt, kanë “shkelur” shumë kandidatë të tjerë, të cilët të paktën në bazë të të dhënave të tyre (CV-ve), janë më të përgatitur sesa vajza e dekanit.
Siç shihet në Raportin e Komisionit Recensues, kandidati Shqiprim Pula përveç studimeve elementare, dhe atyre master, gjithashtu është kandidat për doktoraturë në Universitetin Sakarya në Turqi, ngjashëm sikurse kandidatja tjetër, Nita Shala, e cila përveç studimeve në Fakultetin Juridik të UP-së, ka edhe dy mastera, njërin në Fakultetin Juridik, Universiteti i Teramos, Itali dhe tjetrin në Fakultetin Juridik, Universiteti i Oxford-it, në Britani të Madhe.
Komisionit Hasani, Kuçi dhe Bilalli nuk u ka bërë përshtypje as kandidatja Gresa Selimaj-Bytyçi, e cila ka dy mastera, njërin në Shkencat Juridike-Penale në Universitetin e Prishtinës dhe tjetrin për Studime Evropiane në Institutin Evropian des Hautes Etudes Internationales në Nicë të Francës.
Ndërkaq, e bija e Dekanit, Valëza Ukaj, nuk ka doktoraturë të regjistruar, nuk ka punime shkencore të botuara në revista vendore dhe ndërkombëtare shkencore dhe ka vetëm një master në Fakultetin Juridik të Universitetit Katolik të Luvenit, në Luven të Belgjikës. /Telegrafi/