Kalo te lënda

Gjinekologu akuzohet për marrje ryshfeti

f_0329165135178_mIsh Prokuroria Komunale e Gjilanit ka ngritur propozim-akuzë ndaj gjinekologut Nexhat Sherifi, i punësuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Sipas propozim-akuzës që e ka ngritur prokurori Shqipdon Fazliu, mjeku Nexhat Sherifi akuzohet për veprën penale – “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, më datën 19 qershor 2011, në repartin e gjinekologjisë, i pandehuri ka pranuar për vete përfitimin pasuror në vlerë prej 20 eurove, për të kryer një veprim zyrtar e që në kuadër të autorizimeve të tij ai është dashur ta kryej.

Mjeku ka shfrytëzuar gjendjen e pacientes – tani të dëmtuarës M.K. – e cila ka qenë shtatzënë dhe pak para lindjes, duke kërkuar nga e njëjta shumën prej 10 eurove si kusht që e njëjta të futej në sallën e lindjes. E dëmtuara, e shqetësuar për gjendjen e saj shëndetësore, e fton bashkëshortin e saj duke i thënë se i pandehuri po i kërkonte 10 euro, ashtu që pas disa minutave vjen dhe në shkallët e spitalit ia jep të pandehurit 20 euro, shkruan Rajonipress.

Gjinekologu, sipas akuzës, pasi merr 20 euro ia mundëson të dëmtuarës shtrirjen në sallën e lindjes. Në këtë proces gjyqësor pritet të dëshmojnë i pandehuri, të dëmtuarit dhe dëshmitarët.

Zyhdi Haziri, kryetar i Gjykatës Themelore, ka thënë se rasti i mjekut Sherifi tashmë ka kaluar në Departamentin e Krimeve të Rënda, pranë kësaj gjykate, dhe se shumë shpejt pritet të procedohet me seancën gjyqësore

Lini një koment