Familja Sopa sot në gjyq
Teuta Sopa do të paraqitet gjatë ditës së sotme para prokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj për të rrëfyer rreth rastit të vrasjes së bashkëshortit dhe ish-zyrtarit të lartë të Qeverisë së Kosovës, Hamdi Sopa. Teuta gjatë të premtes pritet të përballet me pyetjet e prokurorit Isufaj rreth ditës kur ndodhi akti tragjik i Sopës.Lajmin për paraqitjen e Teutës para prokurorit e ka konfirmuar njëri nga avokatët, mbrojtësi i Erna Sopës, avokati Fatlum Podvorica. Ai ka thënë se mbrojtja ende deri tani nuk ka marrë raportin përfundimtar të Mjekësisë Ligjore rreth obduksionit të trupit të Hamdi Sopës.
Lidhur me dyshimet për vrasjen e Hamdi Sopës, deri tani të dyshuarat kryesore për këtë rast janë gruaja dhe dy vajzat e Sopës, Artina dhe Erna. Në fillim të këtij muaji njëra nga tri të dyshuarat për vrasjen Sopës, Erna Sopa, para prokurorit Blerim Isufaj kishte mohuar kategorikisht se ka kryer veprën penale të vrasjes. Ajo kishte thënë se babai i saj nuk është vrarë, por që është vetëvrarë, shkruan Kosova sot.
Ndërsa marrja në pyetje e Artinës ishte shtyrë për një kohë të pacaktuar me kërkesën e saj. Ndryshe, ish-zyrtari i Zyrës për Informim në Qeverinë e Kosovës, Hamdi Sopa, ka vdekur në fund të muajit janar pas hedhjes nga kati i nëntë i ballkonit të banesës së tij.
Një javë më vonë, pas përfundimit të raportit të obduksionit Mjekësia Ligjore, është konstatuar se Sopa është vrarë dhe pas marrjes së këtij raporti prokurori i rastit Blerim Isufaj kishte urdhëruar arrestimin e tri të dyshuarave kryesore – bashkëshortes Teutës dhe dy vajzave të saj Artina dhe Erna Sopa. Ato që nga fillimi i muajit shkurt vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan./standardi.info