Djuric: Serbia gjendet në një situatë tejet të vështirë
Këshilltari i presidentit të Serbisë për Politikë të Jashtme, Marko Djuric ka deklaruar sot pas takimit të kreut shtetëror serb se Serbia gjendet në një situatë tejet të vështirë lidhur me dialogun me Prishtinën dhe e kreu i shtetit deri në rundin e ri të negociatave, më 2 prill, do të jetë në mbledhje të vazhdueshme.
Djuric u ka deklaruar gazetarëve se “Serbia edhe pas negociatave të 2 prillit në Bruksel, pavarësisht nga rezultatet e dialogut, do të ballafaqohet me pasoja jashtëzakonisht të rënda”, dhe ka shtuar se situata nuk është aspak më e lehtë se në periudhën para negociatave në Dejton dhe Rambuje.
Ai ka cekur se pasojat e epilogut të dialogut “do të jenë tejet serioze dhe të parashikueshme për vendin, pavarësisht se në cilin drejtim do të zhvillohet ai të martën”, transmeton RTK.
Pyetjes çka saktë nënkupton kualifikimi “pasoja të vështira dhe situatë dramatike”, Djuric është përgjigjur se Serbia gjendet në dilemë të zgjedh midis dy rrugëve shumë të rënda.
“Njëra rrugë është pranimi i zgjidhjeve që nuk janë ideale dhe që janë tepër të vështira për mbarë Serbinë; kurse rruga tjetër në të cilën ne, për shkak të faktit që pala tjetër nuk ka qenë e gatshme për kompromis, nuk jemi në pozicion ta pranojmë atë mbi të cilën bisedohet”, u ka thënë Djuric gazetarëve.
Ai ka paralajmëruar se “të hënën opinioni do të njoftohet me përbërjen e delegacionit që do të udhëtojë në Bruksel”.
Djuric ka vënë në pah se “të gjitha vendimet do të merren bashkërisht, kurse përgjegjësia politike për secilin vendim do të ndahet midis të gjithë faktorëve kryesor politik”.
Ai nuk ka dashur të komentoj shkrimet e shtypit se shefat e diplomacive të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe do të kyçen në raundin e radhës të dialogut i caktuar për 2 prill.
Sipas tij, “Serbia nuk do të marrë pjesë në përbërjen e palëve tjera në proces” dhe ka ripërsëritur se mbi formacionin e delegacionit do të vendoset të hënën pas shqyrtimit të gjithë faktorëve.
Ai ka shtuar se është shumë e rëndësishme që më 2 prill delegacioni i Serbisë të ketë rastin t’i vlerësojë elementet që i ofron pala tjetër “që të jemi në gjendje të marrim vendim”.
Në takimin, i cili ka zgjatur një orë, tek presidenti Tomislav Nikolic, kanë marrë pjesë kryeministri dhe nën-kryeministri Ivica Dacic e Aleksandar Vucic, ministri i Jashtëm Ivan Mrkic dhe nënkryetarja e qeverisë për integrime evropiane, Suzana Grubjesic. /Telegrafi/