Barani: Kriminelët do ta kundërshtojnë edhe Beogradin
Veprimtari Halit Barani ka thënë se është dëshmitar i shtimit të lëvizjeve të pjesëtarëve të strukturave ilegale në afërsi të Urës së Ibrit në Mitrovicë. Ai ka deklaruar për Telegrafin, se elementët kriminalë, në kuadër të strukturave shtetërore të Serbisë, pritet që të kundërshtojnë çfarëdo vendimi për zhbërjen e tyre, edhe nëse vendimi merret në Beograd.
Ai ka rrëfyer se vendqëndrimin e këtyre strukturave e ka jo më larg se 100 metra, prej shtëpisë së tij, prej nga e vëren se dera e kioskat është e hapur vazhdimisht.
“Këtu lëvizin të ashtuquajturit ‘Roja të Urës”, që në fakt janë punëtorë të sigurimit shtetërorë të Serbisë. Disa prej i tyre që kanë qenë më herët dhe sigurisht janë edhe tash, si Zarko Kosovac, Dragan Djric, Mijodrag Ralic, i cili dje është liruar si pafajshëm për akuzat për pjesëmarrje në trazirat e marsit”, ka thënë Barani.
Sipas tij, çdo ditë këta pjesëtarë të strukturave ilegale i parkojnë pesë vetura afër kontejnerit, prej nga mund të vëzhgohet komplet ura dhe pjesa jugore e qytetit.
Duke komentuar protestën e Lëvizjes Vetëvendosje që pritet të mbahet nesër, Barani ka thënë se është dashur që më herët të “çelen sytë”.
“Është dashur që sidomos popullata të veprojë, sepse udhëheqësit po dihet se çka po bëjnë. Por, qytetarët nuk do t’i përgjigjet kësaj proteste, sepse janë zbehur këto protesta. Nuk po jemi të vetëdijshëm se çka po ndodhë me Mitrovicën. Dhe, sa do të ishte më mirë nëse do ta kishim ngritur zërin më herët”, ka thënë Barani.
Barani ka komentuar edhe një deklaratë të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk ka qenë i kujdesshëm për ta ruajtur veriun në vitin 1999.
“Në atë kohë nuk kanë pasur mundësi që të bëhet diçka. Këtë nuk e kanë lejuar ndërkombëtarët, e sidomos nga pjesëtarët francezë të KFOR-it”, ka thënë Barani. /Telegrafi/