Ambasadori Selimi: Bllokimi i miellit vendim skandaloz
Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi e ka cilësuar bllokimin e miellit të ardhur nga Kosova si jo të drejtë. Në një prononcim për mediat ai ka thënë se situata të tilla nuk duhet të ndodhin mes dy vendeve.“Kemi kontaktuar me Ministrinë e Ekonomisë për këtë çështje. Është hera e parë që kompanisë i kërkohet certifikata e aflatoksinës. Situata të tilla nuk duhet të ndodhin mes dy vendeve, ne presim që kjo çështje të zgjidhet”- tha ai.
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Shqipërisë ka vendosur dje bllokimin e përkohshëm të importit për miellin që vjen nga Kosova.
Mediat e Tiranës, duke iu referuar burimeve nga MBUMK-ja, njoftojnë, gjatë ditëve të para të muajit mars ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, ka lëshuar një urdhër që kërkon angazhimin e një sërë institucionesh në varësi të MBUMK për shtimin e kontrolleve dhe masave për të parandaluar praninë e Aflatoksinave në qumësht dhe ushqime.
Një ditë më parë për këtë problem reagoi edhe ministri i Jashtëm shqiptar, Edomdn Panariti, duke theksuar se duhet të pengohet dëmtimi i interesave të konsumatorëve./standardi.info