Zbarkojnë pjesëtarët aktivë të ushtrisë së SHBA-së në Kosovë
Disa qindra ushtarë aktivë amerikanë do të vijnë nga mesi i pranverës në Kosovë në rotacionin e radhës që do të njihet me emrin KFOR 17. Do të jetë ky rotacioni i parë i ushtarëve aktivë, një njësit luftarak-special që do të zëvendësojë rotacionin e tashëm të pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të shteteve Amerikane.
Rotacioni i radhës do të jetë nga pjesëtarë të Brigadës Luftarake Vëzhguese 525, që vijnë nga baza ushtarake ndër më të mëdhatë dhe më të specializuara në Amerikë, nga baza Fort Bragg e Karolinës së Veriut. Detyrë dhe përgjegjësi e pjesëtarëve të kësaj Brigade gjatë qëndrimit në Kosovë do të jetë kryesisht rajoni i veriut të vendit me tension të theksuar ndëretnik.
Tash disa vjet pjesëtarë të Gardës Kombëtare ishin forcat amerikane që dislokoheshin në Kosovë meqenëse pjesa aktive e ushtrisë kryesisht dislokohej në vatrat e luftës në Irak dhe Avganistan.
Komandant i Brigadës 525, sipas gazetës së ushtrisë, “Stars and Stripes,” do të jetë kolonel Dave Woods dhe kontingjenti do të qëndrojë në Kosovë rreth nëntë muaj.
Pjesëtarët e brigadës luftarake vëzhguese do të bashkëpunojnë me pjesëtarë të forcave të vendeve të tjera që gjithashtu operojnë në Kosovë në kuadër të KFOR it, si ushtarët nga Armenia, Gjermania, Maroku, Polonia, Turqia dhe Ukraina që përbëjnë forcën paqeruajtëse prej gjithsej 5600 ushtarësh.