Kalo te lënda

Protesta kundër guroreve të Bechtel-Enkas (Video)

f_0310223923696_aNë pamje të parë duket peizazh i mrekullueshëm natyror. Kjo sipërfaqe numëron 12 liqene natyrale të rrethuar me qindra hektarë pyje, të cilat i japin zonës një sistem unik ekologjik shumë të pasur me botë bimore dhe shtazore.
Bëhet fjalë për malin e quajtur Gospoja, në afërsi të Komunës së Fushë-Kosovës, të cilin kompania Bechtel-Enka e ka shënjuar për të ndërtuar gurore për nxjerrjen e zhavorrit, me qëllim të kryerjes së punimeve në rrugën e kombit.

Ky veprim ka hasur në kundërshtimin e fortë të banorëve të tri fshatrave përreth, të cilët konsiderojnë se në këtë mënyrë po degradohet natyra. Ata, prej disa ditësh, nuk po lejojnë makineritë e kompanisë të futen në pyll. Ndërsa, për ta bërë reagimin në mënyrë institucionale, ka filluar edhe nënshkrimi i një peticioni, raporton Top Channel.

Por, pavarësisht kundërshtimit të banorëve, punëtorët e Bechtel-Enkas kanë dalë në terren, për të bërë matjet…

Në emër të hulumtimit të terrenit, kompania deri më tani ka prerë një sipërfaqe të gjerë pyjore. Kundër gurores në këtë zonë kanë dalë shoqata të ambientalistëve dhe Lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fundit bën të ditur se në këtë rast Bechtel-Enka nuk ka leje mjedisore nga Ministria e Ambientit.

Kjo çështje është ngritur edhe në komisionin parlamentar për mjedisin. Ministria e Ambientit ka lënë të hapur mundësinë që t’ia japë lejen dhe pëlqimin mjedisor kompanisë Bechtel-Enka për hapjen e gurores. Kjo me arsyetimin se, nëse nuk do t’i lejohet shfrytëzimi i zhavorrit në këtë vend, do të rritet kostoja e autostradës, për shkak se kompania detyrohet të nxjerrë zhavorr diku tjetër dhe pagesat për këtë duhet t’i bëjë Qeveria e Kosovës. /Telegrafi/

Lini një koment