Opozita kërkon që zgjedhjet në veri të mos mbahen ndaras
Organizimi i zgjedhjeve lokale në veriun e Mitrovicës sipas legjislacionit të Kosovës, për të cilën çështje në parim janë marrë vesh në Bruksel kryeministri Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, vazhdon të konsiderohet si mundësi e mirë për shtrirjen e autoritetit të institucioneve në atë pjesë. Mirëpo mundësia që zgjedhjet në veri të mos mbahen në të njëjtin afat kohor me ato lokale, që pritet të mbahen në fund të këtij viti, cilësohet e papranueshme nga partitë politike. Përfaqësuesit e tyre madje kanë opinione të ndryshme sa i përket çështjes se kush duhet t’i organizojë ato, pasi që kryeministri Thaçi e ka përmendur se zgjedhjet në veri do të organizohen nga OSBE-ja. Ish-kryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, deputeti Haki Demolli, vlerëson se çdo vendim që do të lejonte organizimin e zgjedhjeve në mënyrë të ndarë është i kundërligjshëm.
( Koha )