“Ndezet” debati për tekstet e historisë
Republika e Turqisë ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që librave shkollor të historisë t’u bëhet një rishikim i kujdesshëm dhe që në pjesë të caktuara të tyre edhe të bëhen korigjimet, të cilat as për zyrtarë të MASHT-it nuk mund të quhen si ndryshim i historisë. Këta të fundit, në përpjekje për ta ilustruar kërkesën kanë përmendur fjalën “hordhi” (hordhitë turke) e hasur shpesh në tekstet e historisë, edhe pse, sipas zëvendësministrit tonë dhe argumenteve historike, ato ishin njësi, reparte ushtarake.
Për këtë qëllim, Ministria e Arsimit ka formuar një komision të përbërë nga ekspertë të historisë, gjeografisë dhe albanologjisë të cilët kanë përgatitur një raport se çfarë do të mund të korrigjohet në tekstet shkollore. Mirëpo, njëri nga bashkautorët e disa librave të historisë, Frashër Demaj ka thënë se autorët e teksteve tashmë janë dokorduar që të mos pranojnë asnjë ndryshim të teksteve pa marrë miratimin e tyre dhe se ata me asnjë çmim nuk do të pranojnë ndryshime që do të dëmtonin të vërtetën historike.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa ka thënë se ekspertët që do të vijnë nga Turqia nuk do të kenë ndikim në ndryshimet e teksteve, por, sipas tij, me ta vetëm do të diskutohet dhe debatohet për kërkesën e tyre.
“Nuk ka qëllim ardhja e tyre që ata të ndikojnë drejtpërdrejtë në ndryshimet eventuale por thjesht do të jetë një vizitë ku ata së bashku me ekspertët tanë do të shkëmbejnë përvojat e tyre që i kanë në këtë fushë, në mënyrë që dilemat eventuale në mes të popujve të ndryshëm të tejkalohen me një gjuhë sa më të përzgjedhur, po që nuk nënkupton ndryshimin e historisë për arsye se është fol sa e sa herë që Ministria e Arsimit do të ndryshojë tekstet shkollore. Nuk është Ministria e Arsimit ajo që i ndryshon tekstet shkollore, nuk është Qeveria dhe nuk janë zyrtarët e ministrisë ata që e ndryshojnë historinë. Historinë e shkruajnë historianët, ndërsa çdo ndryshim, çdo ndërhyrje në tekstet shkollore do të bëhet vetëm pas një debati të hapur që do të kemi pastaj me gjithë qytetarët e interesuar të Kosovës dhe në veçanti pas debateve që do të kemi me autorët e teksteve shkollore”, ka thënë Mustafa, transmeton Kosovapress.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit nuk e detyron asnjë ekspertë që të jep vlerësim jo shkencor. Sipas tij, do të ketë një ballafaqim sugjerimesh ose rekomandimesh që ka bërë grupi i ekspertëve me autorët e teksteve shkollore ku ky grup i ekspertëve pastaj do të jetë i detyruar që ta arsyetojë çdo sugjerim të tyre edhe para autorëve të teksteve shkollore.
Mustafa ka thënë se me ligj ndërhyrjet në tekste shkollore mund t’i bëjnë vetëm autorët e teksteve shkollore, të cilët ende nuk janë informuar rreth vendimit për rishikimin e teksteve shkollore.
Sipas Mustafës në disa lëndë ka terma të cilat kanë shkaktuar ngarkesë për moshën e fëmijëve.
“Kemi tekste shkollore ku përmendin fjalën ‘hordhi’, për reparte të caktuara ushtarake që realisht ne sot gjithë gjykojmë për arsye se nuk mund të flitet për reparte ushtarake të quhen ‘hordhi’ por ekzistojnë fjalët reparte ushtarake apo forca ushtarake apo sido që të quhen por jo të quhen ‘hordhi’, ose në termat e gjeografisë kemi nocione në gjeografi që përdoren në tekste tona të gjeografisë nocione të cilat nuk i njeh rendi kushtetues në Republikën e Turqisë dhe është shumë e logjikshme që Turqia reagon pse ne i përdorim ato terma të cilat nuk i njeh Republika e Turqisë. Është e njëjtë për shembull sikur po e zëmë në tekste të caktuara të gjeografisë përmendet ‘rrafshnalta e Armenisë’, një term që nuk e njeh Republika e Turqisë”, ka theksuar Mustafa.
Ndërsa historiani Frashër Demaj, i cili është edhe bashkautorë i disa teksteve shkollore të historisë ka thënë se autorët e teksteve janë marrë vesh që të mos lejojnë që t’u preken tekstet pa lejen e tyre, përndryshe do t’i padisin në gjyq.
Ai ka thënë se autorët e teksteve nuk janë njoftuar zyrtarisht për ardhjen e këtij grupi të historianëve nga Turqia. Gjithashtu, Demaj ka thënë se MASHT, nuk i ka informuar autorët e teksteve shkollore për komisionin që ka formuar ky institucion për rishikimin e teksteve dhe kjo, sipas tij, është shumë jo logjike.
Sipas tij, sa i përket gjuhës së përdorur në tekstet shkollore, Kosova është një shembull për shtetet e tjera për heqjen e termave fyes nga tekstet shkollore.
“Në qoftë se thuhet se ky komision ka ardhur për shkak të eksperiencës që kanë qoftë turqit qoftë ballkanasit e tjerë, unë me përgjegjësi të plotë morale dhe profesionale mund të them për opinionin tuaj shikues se Kosova është prijetare në heqjen dhe në kujdesin që ka treguar sa i takon termave fyes sidomos për popujt e Ballkanit dhe fundja unë nuk di se pse njerëzit nuk e kuptojnë që liria akademike e autorit është përgatitje e tij profesionale dhe pedagogjike mënyra se si e ofron ai atë material shkencor përkatësisht mësimor për nxënësit e moshave të caktuara. Ne gjithmonë kur shkruajmë tekste shkollore, kur shkruajmë tekste historie gjithmonë e kemi parasysh edhe argumentin historik edhe e kemi parasysh aspektin metodiko- didaktik, përkatësisht moshën e nxënësve të cilët kanë për t’u shërbyer me atë libër të caktuar”, ka theksuar Demaj.
Ai ka bërë të ditur se në qoftë se dalin argumente të reja shkencore, autorët e teksteve janë të gatshëm t’i pranojnë, por jo për hatër të politikës të bëhen kompromise më faktet dhe argumentet shkencore.
Demaj ka thënë se Turqia tani është një shtet mik i Kosovës por, sipas tij, nuk duhet mohuar se Perandoria Osmane na ka pushtuar dhe sunduar për 5 shekuj.
Ai ka thënë se kjo më tepër është një kompleks i inferioritetit për ta zbutur historinë pasi që Turqia është duke e ndihmuar Kosovën.
Në krye të komisionit për rishikimin e teksteve shkollore janë profesori i historisë Shkëlzen Raça, gjeografi Ruzhdi Pllana si dhe albanologu Hysen Matoshi. /Telegrafi/