Mimoza Gashi, boksierja pa humbje në Suedi
Kosovarja Mimoza Gashi është boksiere e re, por që ka arritur për një kohë shumë të shkurtër rezultate kulmore. Ajo këtë të shtunë, në një garë të fortë, ku kanë marrë pjesë mbi 100 boksiere të Suedisë, ka arritur të fitojë titullin “Golden Girl Diplom league”.Mimoza në këtë garë e ka përfaqësuar klubin e boksit NBK Akilles nga Norrköpingu i Suedisë. Pas këtij rezultati, ajo shpreson të arrijë deri në finalen e madhe të Kampionatit të Artë, që pritet të mbahet më 2014. Nga mediet suedeze Mimoza është vlerësuar si boksiere e rrezikshme në kategorinë nga 48-52 kg.
Si raporton rajonipress, gjatë karrierës së saj të shkurtër në boks, ajo ka arritur më shumë se që ka menduar. Deri tani ka zhvilluar mbi 20 meçe dhe të gjitha i ka fituar. “Shumë shpejt do të bëhem boksiere e peshave të rënda dhe do të bëhem edhe më e mirë në ring dhe kurrë nuk do ta ndali boksin derisa t`i arrijë qëllimet e mia. Qëllimi im nuk është vetëm fitorja, me rëndësi për mua është që të hyj në ring dhe të boksoj në stilin tim dhe ta bëj krenare familjen dhe Kosovën time të dashur”, tha Mimoza Gashi.
Sipas trajnerit trajnerit të saj, Stefan Nordin, me këtë ritëm të rezultateve Gashi mund të jetë edhe pjesëmarrëse e lojërave të ardhshme olimpike në vitin 2016.
Mimoza është me prejardhje nga Prishtina, kurse familja e saj kishte migruar në Suedi gjatë viteve të 90-ta.