Kalo te lënda

LDK-ja ka kandidatin e vetë për kryeministër

403x30254975isa_mustafa_480990Deklaratat e Haradinajt se do të pranonte LDK-në dhe Vetëvendosjen për partnerë bashkëqeverisës, nuk janë marrë shumë seriozisht nga këto dy parti. Vjosa Osmani nga LDK-ja, ka thënë se ata nuk e kanë shqyrtuar një kërkesë të tillë dhe se ata kanë kandidatin e tyre për kryeministër. Ndërkaq, Shpend Ahmeti nga VV-ja, thotë se qëndrimi i tyre për koalicione është përputhja programore dhe besimi i ndërsjellë. Sipas tij, këto dyja nuk janë parë deri më tani nga AAK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka shqyrtuar mundësinë për një koalicion të mundshëm me AAK-në si partner në bashkëqeverisje. Zyrtarë të kësaj partie ia rikujtojnë Haradinajt se ishte vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ai i cili i kishte bërë ftesë spektrit të djathë që të bashkohen që ta çojnë vendin përpara. Për më tepër, LDK, sipas zyrtarëve të saj, ka kandidatin e vetë për kryeministër, me të cilin mendojnë së Kosova vërtet do të ecë përpara, e ai është kryetari i partisë, Isa Mustafa.

 

Vjosa Osmani, deputete nga radhët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se çështja e një koalicioni të mundshëm me AAK-në nuk është diskutuar, por siç është shprehur ajo, kjo çështje u takon liderëve të partisë që të diskutojnë. “LDK-ja e ka kandidatin e vet për kryeministër me të cilin ne mendojmë që Kosova vërtet do të shkojë përpara sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe uljes së papunësisë, e ai është Isa Mustafa.

 

Mirëpo, nuk janë diskutuar çështjet për një koalicion të mundshëm. Ju takon liderëve që të ulen dhe të diskutojnë për një koalicion”, ka thënë Osmani. Deklaratat e Haradinajt se nuk do të bashkohen në një bllok opozitar të partive të djathta, siç kishte bërë ftesë lideri i LDK-së, për Osmanin këto qëndrime Haradinaj i ka ndryshuar, por ajo thotë se ata mbajnë mendimin e tyre, pavarësisht se çfarë mendojnë të tjerët. “Ne si LDK e mbajmë qëndrimin tonë, pavarësisht se çka deklarojnë të tjerët.

 

Ne do të vazhdojmë të insistojmë që më e mira për Kosovën është që partitë e qendrës së djathtë të krijojnë një bllok. Duhet të dihet qartë se për çfarë janë partitë politike, cilës ideologji i takojnë dhe se çfarë qëndrime mbajnë për çështje të ndryshme, siç janë zhvillimi ekonomik, çështjet sociale apo diçka tjetër. Ne si LDK, këtë e kemi të qartë dhe mendoj se ju takon edhe partive të tjera të përcaktohen se çfarë qëndrime kanë për çështjet në të cilët po kalon Kosova”, ka thënë ajo për gazetën.

 

Për të hyrë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nuk duket se janë të gatshëm se Lëvizja Vetëvendosje, të cilën e kishte përmendur si mundësi për bashkëqeverisje Ramush Haradinaj.

 

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka thënë për gazetën se qëndrimi i tyre për koalicione është se ato duhet të bëhen për shkak të përputhjeve programore dhe besimit të ndërsjellë. Sipas tij, këto dyja nuk janë parë deri më tani nga AAK. “Qëndrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është se koalicionet duhet të bëhen për shkak të përputhjeve programore dhe besimit të ndërsjellë. Me AAK-në nuk kemi përputhje programore, të paktën nga ajo që dimë për programin e tyre nga deklarimet publike që kanë bërë.

 

Sa i përket besimit të ndërsjellë, AAK deri dje kërkonte bashkëqeverisje me Thaçin, dhe e ka Blerim Shalën si koordinator të negociatave me Serbinë. Besimi i ndërsjellë nuk bëhet rastësisht, por ndërtohet varësisht nismave të përbashkëta. Nismat e VETËVENDOSJE!-s në Kuvend rrallë herë janë përkrahur nga AAK-ja, përderisa kohëve të fundit e kemi parë se kjo parti nuk ka qenë në një linjë me nismat e gjithë opozitës në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Ahmeti. Ditë më parë, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se do të pranonte LDK-në e VV-në, si partner në bashkëqeverisje duke u shprehur i bindur se ai do të jetë kryeministri i ardhshëm. Haradinaj kishte deklaruar se PDK-ja është opsioni i fundit me të cilën do të hynte në bashkëqeverisje./standardi.info/

Lini një koment