Kalo te lënda

Dacic: Prishtina ka mbështetje amerikane, por ne nuk lëshojmë pe

f_0310175417283_mNuk pres që dikush në Bruksel të bëjë presion në dikë, por të bëhet e qartë se a është e mundshme të gjendet zgjidhja për veriun e Kosovës, ka thënë kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, i cili deklaron se nuk do të heq dorë nga ideja për Asociacionin e komunave serbe – me pushtet ekzekutiv në Kosovë.

Kryeministri serb, në prag të vizitës së nesërme në Bruksel – ku udhëton me kreun shtetëror serb – ka thënë se nëse Prishtina nuk e pranon propozimin e Beogradit për Asociacionin e komunave serbe, pala serbe nuk të pranojë asgjë nën këtë.

Ai përsëriti se në mbledhjen e fundit ka pasur një propozim për të rënë në pajtim për disa parime të përgjithshme.

“Këto parime nuk kanë parashikuar pushtet ekzekutiv për serbët në veri. Nuk kam dashur të nënshkruaj. Dikush mund të më ofrojë çfarëdo, por kurrë nuk do të nënshkruaj diçka që nuk është e mirë për Serbinë dhe që nuk siguron funksionimin dhe mbijetesën e bashkësisë serbe në Kosovë”, ka thënë Dacici për Blic.

Sipas tij, propozimi i Beogradit është model me të cilin zgjidhen të gjitha çështjet e hapura. Ndërsa, shtoi se dialogu nuk nënkupton se nga Beogradi kërkohet ta njoh Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk mund ta pranoj këtë, sepse në këtë rast për bashkësinë serbe nuk ka asnjë ingerencë”, tha ai, duke shtuar se Prishtina e ka mbështetjen amerikane që gjithçka që ofron të bazohet në ligjet e tyre.

“Mirë, por pse atëherë po bëjmë negociata e pse Serbia po merr pjesë në to. Le të flasin atëherë me serbët e Kosovës dhe ta zgjidhin çështjen e ligjit. Nëse duan me ne, atëherë është marrëveshje e veçantë politike, e jo që bisedimet të shkojnë në drejtimin që ne të detyrojmë serbët e Kosovës që të pranojnë atë që shkruan në ligjet e atjeshme. Kjo nuk është një qasje konstruktive në negociata dhe kjo nuk çon askund”.

Kryeministri serb deklaron se nuk pret që në Bruksel “të luajnë lojë, sepse ai në Bruksel nuk e ka kërkuar të pamundshme” dhe se “në platformën Beogradit nuk ka gjëra të paqëndrueshme”.

“Përkundrazi, Beogradi ofron një zgjidhje të qëndrueshme dhe është e rëndësishme që qytetarët e veriut të kenë pushtet, e jo vetëm disa kompetenca me të cilat vetëm mund të organizojnë ngjarje dhe të botojnë një buletin”, ka thënë Dacici. “Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimet në mënyrë që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por kjo nuk do të thotë se ne heqim dorë nga rruga evropiane e Serbisë”.

Dacici theksoi se nesër delegacioni serb do të “tregojë edhe një herë se propozimi i Beogradit është pranueshëm dhe se nuk ka arsye pse Prishtina duhet ta refuzojë, meqë edhe në vendet tjera evropiane ka territore autonome, rajone, kantone”.

“Gjithkush duhet ta ketë të qartë gjendjen në të cilën Beogradi nuk ka autoritet në pjesën më të madhe të territorit, njëjtë siç Prishtina nuk e kontrollon një pjesë territorit që e konsideron të veten”, përfundoi Dacic. /Telegrafi/

Lini një koment