Kalo te lënda

20 marsi, momenti i fundit për Prishtinën e Beogradin

881Samiti i qershorit është takimi nga i cili Kosova dhe Serbia presin sinjale konkrete nga Brukseli në lidhje me procesin e integrimeve evropiane. Serbia llogaritë në vendimin mbi nisjen e negociatave të anëtarësimit në mes të Beogradit dhe Brukselit, ndërsa Kosova pret mesazhe inkurajuese në lidhje me nisjen e procesit të stabilizim asociimit.

Për t’u arritur këto, janë të domosdoshme rezultate konkrete nga dialogu i nivelit më të lartë politik i cili zhvillohet në zyret e kabinetit të baroneshhës Catherine Ashton.

Takimi i 20 marsit në mes të dy kryeministrave, është ndër momentet e fundit kur do duhej të arrihej marrëveshja nëse Prishtina dhe Beogradi dëshirojnë të shohin vendime konkrete në samitin e qershorit. Kjo për arsye se Komisioni Evropian duhet fillimisht të përpilojë raportin për këto vende, përfshirë këtu edhe rekomandimet se çfarë do duhej të vendosej në samit.

Dokumenti në fjalë do duhet të përpilohet deri në mes të muajit prill. Nga ana tjetër, Gjermania vendi më i zëshëm i Bashkimit Evropian që insiston në shpërbërjen e strukturave paralele serbe në veri nuk mund të jep pëlqime në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së pa dritën jeshile të Bundestagut.

E tërë procedura me Bundestag kërkon disa javë, andaj edhe për arritje të qëndrimit të Berlinit zyrtar për samitin e qershorit, procedura në Bundestag praktikisht do duhej të fillonte në fillim të muajit prill.

Në mungesë të pajtimit për veriun e Kosovës, ndërmjetësja e dialogut, baronesha Ashton është e vetëdijshme se tani kalendari më nuk punon në favor të realizimit të qëllimit, kur samiti i qershorit do duhej të ishte pozitiv për Kosovën dhe Serbinë.

Krejt kjo bëri që shefja e diplomacisë evropiane ka vendosur që kësaj radhe të intensifikojë angazhimet e saja në mënyrë që të krijohen kushtet që në takimin e radhës Thaçi-Daçiq të vije përfundimisht deri te pajtimi.

Ajo të hënën në Bruksel bisedon me politikanët kyç të Beogradit, ndërsa të enjten viziton kryeqytetin e Kosovës për të diskutuar me liderët e Prishtinës, gjithnjë, duke tentuar që të gjendet kompromisi në mes të dy palëve në lidhje me sistemin e organizimit të asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Zyrtarët e kabinetit të Ashton hezitojnë të prononcohen se çfarë niveli kompetencash favorizojnë në rastin e asociacionit të komunave serbe.(rtk)

Lini një koment