Kalo te lënda

Lugina kërkon asociacion te komunave shqiptare

403x302548210Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kërkojnë nga Qeveria në Beograd, që, sipas modelit të veriut të Kosovës, të formohet bashkësia e komunave shqiptare edhe në Serbi.
Sipas mediave serbe, organi më i lartë institucional i shqiptarëve të Luginës nga sot është Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës. Ky Kuvend ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë masa urgjente dhe konkrete për zgjidhjen e problmeve të tyre. B92 raporton se këshilltarët kanë mbetur në qëndrimin e tyre të mëhershëm politik, sipas të cilit, në aspektin politiko-institucional, ata duhet të kenë së paku aq sa kanë serbët në veri të Kosovës.
Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës përbëhet nga 74 anëtarë që vijnë nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja. Në dokumentin me titull “Masa urgjente për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, kërkohet zgjidhja e çështjeve të sigurisë, ekonomike, të përdorimit të gjuhës dhe simboleve, decentralizimi i gjykatave e të tjera.
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka thënë se bëhet fjalë për masa të veçanta, që duhet t’i ndërmarrin autoritetet republikane, me qëllim përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve. Ngjashëm është përgjigjur edhe Skender Destani, lider i Unionit Demokratik të Preshevës duke theksuar se me këtë dokument shqiptarët do t’i përgjigjen ofertës së Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve që ua ka dorëzuar Trupi Koordinues për këto tri komuna. Më 25 shkurt në zyrën e OSBE-së në Bujanoc ka filluar dialogu i Beogradit me liderët të partive politike shqiptare në Luginë./standardi.info

Lini një koment