Kalo te lënda

LDK: Komunat e qeverisura nga PDK, të zhytura në krim dhe korrupsion

f_0309213001226_mNë gjysmën e komunave që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës kryetarët janë nën hetime apo në proces gjykimi për afera korruptive dhe kriminale, ka akuzuar Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo, sipas LDK-së, është shqetësuese për qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtar që e kanë mbështetur pavarësinë.

“Fatkeqësisht po vërtetohen paralajmërimet e LDK-së se institucionet e shtetit, në nivel qendror lokal, PDK i ka vënë në shërbim të grupeve kriminale dhe korruptive. Procedimi penal dhe gjykimi i këtyre rasteve është me rëndësi jetike për të ardhmen evropiane të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga LDK-ja.

Sipas LDK-së, shqetësues është fakti se në disa raste hetimet janë zvarritur nën presionin e grupeve të caktuara të lidhura me PDK-në. Kjo ka bërë që këto raste të merren në shqyrtim nga EULEX-i. Si rezultat, besimi i qytetarëve në institucionet vendore të rendit ka rënë dukshëm.

Partia më e madhe opozitare në vend LDK bën thirrje që policia, prokuroria dhe gjykatat të kryejnë obligimin e tyre ligjor.
“LDK i fton këto organe të mos bien nën ndikimin e PDK-së dhe grupeve kriminale që kanë për qëllim pasurimin e tyre në kundërshtim me ligjin”, theksohet në komunikatë.

LDK gjithashtu shpreh mbështetjen e plotë për personelin e policisë, prokurorisë dhe gjykatave që merren me këto raste – ndërsa, siç thuhet më tutje në komunikatë, “LDK është e vetëdijshme se ata janë nën presion të madh të grupeve të interesit të PDK-së”.

LDK, siç thuhet në kumtesë, do të vazhdojë që me ngulm të kërkoj implementimin e shtetit të së drejtës.

“LDK po i bënë të gjitha përgatitjet që sapo të vije në krye të institucioneve të vendit të ndërmarrë një sërë reformash për tu siguruar se grupet kriminale dhe shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë. LDK vlerëson se vetëm me një qeverisje të tillë me duar të pastra, çfarë mund të ofrojë LDK, vendi mund të ketë perspektivë evropiane”, përfundon komunikata e LDK-së.

Lini një koment