Injorimi i Kullës së Jasharajve, i pa dinjitetshëm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri, Hashim Thaçi, në 15 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, edhe pse kanë vizituar Prekazin, respektivisht Varrezat e Dëshmorëve, aty ku kishte filluar kthesa historike, nuk janë kthyer në Kullën e Jasharajve. Përderisa për ish-bashkëluftëtarët e Hashim Thaçit dhe familjet e dëshmorëve, gjesti i tyre ishte i pa dinjitetshëm, për përfaqësuesin e familjes Jashari, respekti që u bë populli atyre dhe dëshmorëve të rënë, meriton shumë më shumë vëmendje se sa injorimi i ndonjë politikani, pasi ata shkojnë e vijnë, përderisa populli mbetet përgjithnjë.
Njëri nga të parët që publikisht ka dal me uniformën e UÇK-së, Rexhep Selimi, sot deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Kulla e Jasharajve nuk është më thjeshtë Kullë e Jasharajve, pasi, sipas tij, nga 5 marsi i vitit 1998, ajo është Kullë e UÇK-së e luftës së shqiptarëve për liri.
Deputeti Selimi ka pohuar se liderët politikë, personalitetet politike dhe jo vetëm të asaj pjese të politikës së ngushtë, por gjithë pjesës shqiptare të politikës e kanë për detyrë morale që para se të respektojnë luftën për liri të përkulen para kësaj sakrifice të madhe.
Duke mos dashur të ndërhyjë se kush shkon në këtë Kullë apo jo, Selimi ka thënë se njerëzit me dinjitet kombëtar dhe që nuk kanë ndonjë deficit të kombëtarizmit mund të hynë në atë vend.
“Unë mendoj që në Kullën e Jasharajve përkulen dhe e respektojnë të gjithë ata që brenda vetes së vet e kanë ndjenjën e respektit fakti, jo thjesht politik për atë çfarë kanë bërë Jasharajt para 15 vitesh. Kështu që unë nuk dua ose nuk mund të them se kush shkon e kush nuk shkon, por është shumë e mirë dhe shumë pasuri e madhe të jesh i dinjitetshëm të shkosh në këtë Kullë. Por, në këtë Kullë mund të shkojnë ata që kanë dinjitet kombëtar e moral dhe kur ndonjëherë kjo mund të bjerë në deficit atëherë edhe mund të ketë ndonjë mungesë. Por, sidoqoftë nuk i nderojmë thjeshtë ata që kanë mbetur gjallë për të shkuar në Prekaz të përkulem para tyre, por i japim diçka vetvetes që nuk e kemi duke nderuar Jasharajt”, ka theksuar deputeti Selimi, transmeton Kosovapress.
Ai nuk ka dashur të paragjykoj për moralin e askujt, por ka shtuar se Prekazi duhet më së paku të respektohet politikisht.
Ndërsa, Kryetari i Shoqatës së familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, duke mos dashur të komentoj mos hyrjen e liderëve të vendit në këtë Kullë, ka thënë se secili nga liderët e kanë për obligim një gjë të tillë.
Në këtë temë, të moskthimit të Jahjagës e Thaçit në kullën e kësaj familje, Murat Jashari, ka thënë se për motivet apo gjestin e tyre duhet pyetur ata vetë, megjithatë, për familjen Jashari, hijeshinë më të madhe “Epopesë së UÇK-së” dhe varrezave të Dëshmorëve, ua jep vetë populli.
“Mund të mos e ndjejnë të nevojshme për të qenë prezent në familjen tonë dhe ajo është e drejtë e tyre. Ne nuk mund t’i përzihemi askujt se a do të vijë apo jo. Për ne ka pasur çdo herë rëndësi besimi tek krijuesi dhe populli. Sepse kanë qenë këto dy forca që na kanë dhënë shpresë me mendu dhe me jetu. Prandaj, për ne, kjo ka rëndësi. Politikanët shkojnë dhe vijnë, por populli mbetet këtu. Ne jemi pjesë e popullit. Arsyet konkrete nuk i di. Nganjëherë ne në atë qenien njerëzore, mund të jemi dhe të kompleksuar, nganjëherë nënvetëdija provokon vetëdijen. Por përgjigjen e saktë, mund tua jap presidentja dhe kryeministri”, ka pohuar Jashari.
kjo osht mase eqart se si kryetarja edhe kryeministri nuk jon te zgjedhur nga populli dhe mostju jet hatri JASHARVE kta jon sod per neser e ju jeni te pergjitheshum
PëlqejeniPëlqejeni