Gaxherri: LDD nuk shkrihet, por bën koalicion
Këto ditë pritet që Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) të lidhë koalicion me ndonjërën prej parive politike në vend. Nënkryetarja Besa Gaxherri ka theksuar për Telegrafin se megjithatë kushti i patjetërsueshëm e LDD-së është që ta ruajë subjektivitetin e vet. Lidhjen e koalicionit, Gaxherri e arsyeton me faktin se edhe PDK-ja nuk mund t’i fitojë zgjedhjet e vetme.
“Të gjitha partitë i kanë bërë ofertë LDD-së, por jemi në fazën e shqyrtimit. Duhet pasur parasysh jemi më të afërt me LDK-në, sepse jemi fraksion i saj, por aktualisht nuk është vendosur se me kë do të bashkëpunojmë. Kur ta bëjmë koalicionin, duhet të funksionojë mirë”, ka thënë Gaxherri.
Nënkryetarja e LDD-së e pranon se partisë po i ikin njerëz, por thotë se është fakt se edhe në LDD ka përditë aderime. Por, sipas Gaxherrit partia po dëmtohet për shkak se ka mbetur jashtë Kuvendit.
Aderimet nëpër parti Gaxherri i shpjegon si dukuri e nxitur nga qeverisja e keqe.
“Ky popull është gjunjëzuar. Njerëzit e kanë zbehë shumë integritetin e vet, sepse varfëria ndoshta po sjellka deri në këtë gjendje. Unë shoh shumë njerëz me të cilët kam punuar shumë vjet, u kam besuar shumë gjana dhe për një moment të caktuar, e di shumë qartë që nuk e ka me vullnet që shkon në ndonjë subjekt tjetër politik. Por, e ka interesin ekonomik”, ka thënë Gaxherri.
Sipas saj edhe vet qytetarët duhet të vetëdijesohen se nuk është gjithçka interesi ekonomik. “Nëse do të kishim përdorur këtë logjikë ne do të duhej të bashkoheshim me Serbinë, e jo ta bënim atë luftë dhe me pasë integritetin tonë secili”, ka theksuar Gaxherri.
Megjithatë, nënkryetarja e LDD-së mendon se marrja e një personaliteti të shpenzuar nuk i kontribuon një subjekti politik.