Vrasësit e Zymberit fshihen në Serbi
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se për vrasjen e Selver Haradinaj hetimet janë duke u kryer nga hetues vendas dhe të EULEX-i. Edhe pse janë identifikuar personat në lidhje me këtë rast, Rexhepi ka thënë se ata të dyshuar gjenden në shtetin serb dhe është e vështirë të kapen, pasi që ky shtet nuk bashkëpunon me autoritetet e vendit.Ai gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës i ka bërë këto komente, kur është pyetur nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në lidhje me vrasjen e Enver Zymberit dhe Selver Haradinajt.
Rexhepi ka thënë se për këtë rast janë identifikuar 6 persona për të cilët është lëshuar arrest ndërkombëtar, por, sipas tij, ka dyshime se ata po strehohen në Serbi, kurse kjo e fundit nuk bashkëpunon me Kosovën.
Sipas Ministrit, Policia e Kosovës ka arritur të identifikoj edhe të dyshuarin e shtatë për të cilin do të lëshohet urdhërarrest. “Sa i përket vrasjes së heroit, Enver Zymberi, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it të mbikëqyrur nga Prokuroria e EULEX-it dhe prokurorët vendor dhe të Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicës. Deri më tani janë evidentuar 6 persona të dyshuar për të cilët është lëshuar fletarrest vendor e ndërkombëtar mirëpo ende nuk është arrestuar asnjë i dyshuar. Sipas informacioneve që posedon Policia e Kosovës këta të dyshuar strehohen në Serbi dhe mungesa e bashkëpunimit me shtetin serb krijon pengesa për arrestimin e tyre”, ka thënë Rexhepi.
I pyetur nëse qëndron prapa fjalëve të tij të mëparshme, kur ai kishte thënë se është gati i sigurt se vrasja e Selver Haradinajt nuk kishte motive etnike, Rexhepi ka thënë se qëndron pas atyre fjalëve por se nuk dëshiron që tragjedinë e të tjerëve ta shfrytëzoj për poena politik.
“Mundësitë e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë mundohemi me i shfrytëzuar dhe gjithë jemi të vetëdijshëm sa mundemi me bërë në këtë drejtim. Unë qëndroj pas fjalëve të thëna, por nuk dua që tragjeditë e njerëzve të pretendoj t’i shfrytëzoj për poena politik”, ka thekuar ministri./standardi.info