Kalo te lënda

Trajtim më të dinjitetshëm për gratë e dhunuara

403x30254607grate_e_dhunuaraGratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, duhet të kenë më shumë përkrahje institucionale, duke hartuar programe për avancimin e kësaj kategorie, rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre. Kështu u tha me rastin e Ditës së Gruas, në tryezën e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, me temë “Qasja në drejtësi për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se qeveria ka formuar një grup punës ndërministror për ballafaqim me të kaluarën. “Arsyeja kryesore për formimin e këtij grupi është që zyrtarisht javën e ardhme do të inaugurohet ky grup dhe do të ketë për detyrë përpilimin e Strategjisë Kombëtare për Ballafaqim me të Kaluarën, tha Kuçi.

 

“Dua t’ju sigurojë që ky grup do të merret me hollësi edhe me çështjen e riparimit të dëmeve të viktimave të luftës, që janë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Qeveria nuk e ka për qëllim që gratë dhe femrat e dhunuara të lihen jashtë apo anash politikave riparuese. Prandaj ky grup punues pasi të analizojë politikat aktuale, do të sheh mënyrën se si ato të trajtohen më drejtë, më mirë dhe si mund të realizohen të drejtat e grave të dhunuara gjatë luftës dhe të mos u mohohet e drejta për t’u dëmshpërblyer për dhimbjet nëpër të cilat kanë kaluar”, tha ai.

 

Ndërkohë, Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitkau, tha se në ditët e sotme ende duhet të luftohet për dhunën në familje, për mundësinë e barabartë të shkollimit të femrave, emancipimin e saj si dhe për paragjykimet që i bëhen femrës në Kosovë. Ajo tha se do të ketë projekte dhe programe konkrete zhvillimore për avancimin e kësaj kategorie, për t’iu dhënë këtyre grave dinjitet e drejtësi e jo lëmoshë dhe lule.

 

“Që nga pas lufta gjendja e këtyre grave ka qenë e mjerueshme. Ne si shoqëri dhe si institucione duhet të përballemi dhe t’i japim zgjidhje këtij problemi. Lufta në Kosovë për shumë prej nesh ka përfunduar para 13 vitesh, për 20 mijë gra dhe familjet e tyre kjo luftë vazhdon. Për këtë arsye duhet të angazhohemi që të ofrojmë projekte konkrete, në mënyrë që këtyre grave tu japim mundësi për dinjitet dhe prosperitet”, tha ajo.

 

Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edona Hajrullahu, tha se agjencia është në proces të hartimit të planit të veprimit për zbatimin e rezolutës 13-25 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “Gratë Paqja dhe Siguria”.

 

“Qëllimi ynë është që me zbatimin e planit të veprimit nacional viktimat e dhunës seksuale, torturës dhe forma të tjera të dhunës të ushtruara gjatë luftës, të kenë qasje në mekanizmat funksionale për mbrojtjen, qasjen në drejtësi, rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre”, theksoi ajo

 

Në tryezën e organizuar u shpreh nevoja për amandamentimin e ligjit për kategoritë e dala nga lufta apo të hartohet një ligj i veçantë, i cili ofron përkujdesje institucionale vetëm për këtë kategori të viktimave. Gjithashtu, theks të veçantë iu dha edhe heqjes së paragjykimeve dhe krijimin e një ambienti të barabartë për femrat e dhunuara gjatë luftës.

 

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, përfaqësuesja e grave deputete në Kuvendin e Kosovës, Teuta Sahatçija kërkoi drejtësi dhe trajtim të veçantë për gratë e dhunuara. Në seancën e kuvendit u kërkua edhe fuqizimi i pozitës së gruas në shoqërinë kosovare.

 

Në një deklarim jashtë rendit të ditës në seancën e rregullt të Kuvendit, përfaqësuesja e grave deputete në Kuvend, Teuta Sahatçija i është referuar ditës ndërkombëtare të gruas. Ajo tha se një vit më parë nga ky institucion është kërkuar drejtësi dhe angazhim më të madh për gratë e dhunuara, duke shtuar duhet më shumë punë në këtë drejtim.

 

Sahatçija ritheksoi se edhe rezoluta Për parimet e Prishtinës e miratuar në Kuvend, ku kërkohet që në deri në vitin 2050 të ketë 50 përqind të grave në institucioneve, po gjen mbështetje. Ndërsa Donika Kadaj Bujupi nga AAK-ja tha se duhet fuqizim i gruas në institucione, pasiqë ato janë kapital i çmuar në shoqëri.

 

Edhe Albana Gashi nga Vetëvendosja ngriti çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës, duke kërkuar rregullim institucional të gjendjes së tyre.

 

Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ende nuk dihet numri i saktë i femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, pasi nuk janë deklaruar të gjithë. Nuk ka një evidencë për gratë dhe vajzat viktima të dhunimeve. Deri tani asnjë viktimë e kësaj kategorie nuk është paraqitur për shërbime në qendrat komunale për punë sociale apo në ndonjërën nga Organizatat Joqeveritare.

 

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Ambasadori Jean-Claude Schlumberger bëri thirrje për një status formal për grupin e grave deputete në nivelin qendror dhe për emërimin e grave në pozita të larta./standardi.info

 

 

Lini një koment