Shefi i kërkon 40 milionë euro
Qeverisë po i duhen para. Për t’i mbuluar zbrazëtirat buxhetore ekzekutivi ka urdhëruar Ministrinë e Financave që sa më parë të jetë e mundur të mbushet arka e shtetit edhe me rreth 40 milionë euro. Adresa e parë që i janë drejtuar është Posta dhe Telekomi i Kosovës.
“Kërkoj nga PTK dhe Bordi i saj i drejtorëve që menjëherë të deklarojnë dhe paguajnë një dividendë për aksionarin në shumën prej dyzet milionë (40,000,000) euro”, thuhet në vendimin e Qeverisë, të datës 27 shkurt të këtij viti, të nënshkruar nga kryeministri Hashim Thaçi, shkruan “Tribuna”
Për pagesën e këtyre mjeteve, sipas këtij vendimi, duhet të kujdeset Ministria e Financave bashkë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Këto institucione janë ngarkuar që të caktojnë edhe dinamikën e pagesës.
Por, gjithë ky angazhim për ta mbushur buxhetin, duket se po bëhet me ngutë nga aksionari i PTK-së. Këta të fundit, përveç që ende nuk e kanë marrë vesh se çfarë po kërkohet nga ta, nuk e dinë saktë se sa kanë fituar vjet. Auditivi i pasqyrave financiare të ndërmarrjes më fitimprurëse në vend, pritet të ndodhë tek në fund të muajit maj, kur edhe dihet saktë se sa ka qenë fitimi dhe humbja për vitin 2012./Indeksonline/