Kalo te lënda

Rumania e interesuar për sukses në dialogun Kosovë-Serbi

f_0308140211683_mKryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i ka pritur në takim shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, Danut Maftei, me të cilin ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë.

Në komunikatë thuhet se është biseduar për zhvillimet në veri si dhe për gjendjen ekonomike në qytetin e minatorëve.

Kastrati, e njoftoi për problemet e sigurisë në veri, ku si pasojë e funksionimit të strukturave paralele serbe, mungon liria e lëvizjes si dhe qasja e lirshme në prona. Gjithashtu ai përmendi edhe mungesën e funksionimit të gjykatave, që ka krijuar një situatë kaotike në këtë drejtim.

Ndërsa duke folur për projektet që kanë të bëjnë me të zhvendosurit, Kastrati, foli për projektin e Lagjes së Romëve. “Është projekti më i suksesshëm në Kosovë sa i përket sistemimit të të zhvendosurve”, tha ai.

Ai u fokusua edhe në procesin e rindërtimit në veri që ka shkuar më ngadalë për shkak të pengesave të herë pas hershme nga grupet kriminale dhe strukturat paralele serbe. Megjithatë theksoi se ky proces do të vazhdoj meqë gjendja e të zhvendosurve është shumë e rëndë.

Kryetari Kastrati, i sqaroi mysafirit edhe për mundësitë që ofron Mitrovica për investitorët e huaj. Në këtë kontekst u përmend edhe mundësia e organizimit të vizitave reciproke të biznesmenëve kosovarë dhe atyre rumunë.

Në anën tjetër, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, Danut Maftei, tha se Rumania përcjell me interesim zhvillimet në Kosovë.

Ai tha se janë shumë të interesuar në suksesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/

Lini një koment