Ragip Bytyçi, i pafajshëm për arin e vjedhur në Pejë
Njëri nga të dyshuarit se ishte pjesë grupit që vodhi arin në Dhomën e Dëshmive në Pejë, Ragip Bytyçi është shpallur nga Gjykata Themelore në Pejë i pafajshëm dhe kanë pushuar hetimet ndaj tij, raporton KTV-ja.Që nga momenti i arrestimit e deri tek përfundimi i hetimeve, ai tha se prokurori disa herë ka ndryshuar akuzat ndaj tij. Edhe pas vendimit për pafajësinë e tij, Ragipi shprehet kategorik se nuk ka asnjë lidhje në aferën e vjedhjes së arit. Madje, kërkon nga ata që e fajësuan, që të dalin publikisht dhe ta thonë versionin ndryshe, por zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor, Fitim Shishani ka thënë se sot nuk mund të flasë për këtë çështje.
Ndërkohë, provat në dosjen e EULEX-it i kishin bërë të dyshuar Ragip Bytyçin, Ragip Hajdinin, Xhemë Gashin dhe Kushtrim Kastratin për implikim në biznesin e përfitimit kundërligjor të sasisë së 25 kg të arit të ruajtur në stacionin policor, ku kishte ndodhur vjedhja në fillim të vitit 2012. Ata dyshoheshin se në bashkëpunim me Ragip Hajdinin e hetuesin Ragip Bytyqi kryen veprën penale të pranimit të mallrave të vjedhura dhe mashtrimit.