Plus pesë deputetë serbë: Befasi e keqe e radhës!
Analistët politikë kanë deklaruar për Telegrafin se janë antikushtetuese dhe antidemokratike pohimet e disa burimeve ndërkombëtare se “Ahtisaari Plus” do të nisë së zbatuari me shtimin e numrit të ulëseve për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Analisti Imer Mushkolaj vlerëson se një numër kaq i madh i ulëseve – tash të rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës – është privilegj për këtë komunitet.
“Është absurde që ata të kenë vende plus në Parlamentin e Kosovës. Nuk besoj se ka diku – te paktën në rajon, mbase edhe në Evropë – kaq vende të tilla për pakicat”, ka thënë ai.
Mushkolaj thekson se – fillimisht me aranzhimet ndërkombëtare – serbët kanë gëzuar të drejta më shumë se që ju kanë takuar.
Sipas tij, pala kosovare do ta pranojë këtë propozim të ndërkombëtarëve për shtimin e pesë vendeve për deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës, ndërsa dyshon se ky do të jetë kompromisi i fundit i palës kosovare.
“Është një punë e kryer. Varet se si do të rregullohet kjo brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Përfaqësuesit institucionalë të Kosovës dinë të befasojnë për të keq, madje më keq se që qytetarët mendojnë”.
Në anën tjetër, analisti Ismet Kryeziu thekson se institucionet dhe shoqëria kosovare me Pakon e Ahtisarit kanë bërë kompromise të mjaftueshme në promovimin e të drejtave të komunitetit serb.
“Janë këto praktika dhe privilegje që tejkalojnë edhe demokracitë më të zhvilluara në aspekt të respektimit të të drejtave të pakicave”.
Kryeziu vlerëson se nëse institucionet e Kosovës shkojnë përtej Pakos së Ahtisarit dhe bëhen pjesë e çfarëdo ideje apo marrëveshjeje të ashtuquajtur “Ahtisaari Plus”, kjo do të nxiste reagime politike e qytetare të cilat s’do të pranonin legjitimitetin e këtyre marrëveshjeve.
“Nëse shtojmë numrin edhe me pesë ulëse për komunitetin serb, atëherë jemi duke e shndërruar Parlamentin e Kosovës në një institucion jo përfaqësues dhe jo legjitim: në një Parlament ku vota e qytetarit nuk është e barabartë dhe nuk është bazë për ndërtimin e demokracisë”, deklaron Kryeziu.
Sipas tij, çdo tendencë për tejkalim e të drejtave të pakicave – që përcakton Pakoja e Ahtisaarit – do të cenonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
“Kjo do nxiste alternativa të veprimeve nga komunitetit shumicë: shqiptarët “, ka thënë Kryeziu. /Telegrafi/