Nuk dënohen zyrtarët për fshehje të pasurisë
Sanksionimi i zyrtarëve publikë që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit nuk duket të jetë në përputhje me kriteret ligjore. Kjo pasi në disa raste, sipas Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, gjykatat themelore kanë nxjerrë vendime në shpërputhje me ligjin apo nuk i trajtojnë ato fare.Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit thonë se nuk janë të kënaqur me dënimet e shqiptuara nga gjykatat komunale, derisa zyrtarë nga këto të fundit paralajmërojnë gjoba më të mëdha për ata që nuk deklarojnë prejardhjen e pasurisë. Sa i përket Komunës së Prishtinës, gjatë vitit 2011 janë katër raste në të cilat Gjykata për Kundërvajtje ka shqiptuar dënime me gjobë më të ulët sesa minimumi i caktuar me ligj, e që është 300 euro. Zyrtarë nga AKK-ja i thanë gazetës se janë 3 zyrtarë ndaj të cilëve ka iniciuar procedura gjyqësore, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë. “Numri i zyrtarëve të lartë publik që kanë pasur për obligim deklarimin e pasurisë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës ka qenë 68 zyrtarë, nga numri i përgjithshëm vetëm 3 zyrtarë të lartë publikë nuk kanë përmbushur këtë obligim ligjor.
Agjencia kundër Korrupsionit ka iniciuar procedurën kundërvajtëse ndaj të gjithë zyrtarëve që nuk kanë përmbushur këtë obligim ligjor”, ka thënë për gazetën kryetari i AKK-së, Hasan Preteni. Gjatë vitit 2011, Gjykata Themelore e Prishtinës për mosdeklarim të pasurisë kishte sanksionuar zëvendëskryesuesin e Kuvendit Komunal, Engyn Beyoglu, me 300 euro, ndërkaq këshilltarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Liridon Restelica, me 200 euro, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë pas marrjes së detyrës si këshilltar politik në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave.
Kurse në vitin 2012, këshilltarja Afërdita Veliu për mosdeklarim të prejardhjes së pasurisë ishte gjobitur me 200 euro, derisa së fundi me aktvendimin e datës 1 janar 2013, Besa Halimi-Zagragja, këshilltare komunale dhe inspektore e arsimit, i është shqiptuar masa vetëm “Qortim”.
Me gjithë faktin se AKK-ja kishte atakuar këtë vendim me arsyetim se të pandehurës nuk iu ka shqiptuar masa adekuate e dënimit, megjithatë edhe pas rikthimit të lëndës në shkallën e parë për rivendosje, gjykatësi vendosi masën e njëjtë, i bindur se do të arrihet efekti pozitiv i sanksionimit. E me këto dënime të shqiptuara nga gjykata, zyrtarë të Agjencisë kundër Korrupsionit shprehen të pakënaqur.
“Sigurisht se Agjencia kundër Korrupsionit nuk ka qenë e kënaqur me masat të cilat i ka paraparë ligji, dhe po ashtu edhe me dënimet që i kanë shqiptuar gjykatat. Për këtë arsye AKK-ja ka kërkuar që të parashihet edhe vepra penale për mosrespektim të obligimeve ligjore nga zyrtarët e lartë publikë”, ka thënë Hasan Preteni. “Ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe i kemi paraqitur kërkesën për inicim të procedurës kundërvajtëse me të gjitha dëshmitë që kemi poseduar”, ka shtuar ai.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, për rastet e iniciuara për mosdeklarim të pasurisë dhe sanksionet, Gjykata për Kundërvajtje në Prishtinë, nga 50 rastet e përcjella ( 56.81% nga numri i përgjithshëm) ka shpallur aktvendime sanksionuese. Në 34 raste, 6 raste i ka pezulluar hetimet në dy raste, ka shpallur aktvendime “qortuese”, kurse në 8 raste nuk ka vepruar fare.
Analiza e AKK-së thotë se kjo gjykatë ka dëshmuar një efikasitet shumë më të mirë për sa i përket trajtimit të lëndëve për mosdeklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik, megjithatë në katër raste ka shqiptuar dënime me gjobë më të ulët se sa minimumi i caktuar me ligj, 300 euro. Prej 165 rasteve të përcjella në gjykata gjatë vitit 2011, AKK thotë se ato i kanë shqiptuar sanksionet në 97 raste apo (58.78%), në 13 raste kanë shqiptuar dënime me gjobë nën minimumin e përcaktuar me ligj e që është 300 euro. Dallimin në gjoba mes vendimeve të shkallës së parë dhe asaj të dytë e tregon edhe shuma e përgjithshme e dënimeve të shqiptuara, ku nga gjykatat në shkallën e parë është 22 mijë e 580 euro, ndërsa në shkallën e dytë është 5 mijë e 500 euro./standardi.info