Kurti i kërkon Pacollit t’i raportojë për lobimin
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Albin Kurti, i ka dërguar ftesë zv/kryeministrit Behgjet Pacolli, për t’u paraqitur në Komision dhe për të treguar për punën e tij në fushën e lobimit dhe sjelljen e investimeve të huaja në vend.Edhe pse me Rregullore të Kuvendit dhe ligjet në fuqi nuk është paraparë raportimi i zv/kryeministrit në komisione parlamentare, Pacolli ka vendosur që të shkojë për ta prezantuar punën me të cilën është i angazhuar në Qeveri.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i zv/kryeministrit Pacolli, e ka konfirmuar për gazetën “Tribuna” marrjen e ftesës nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit.
“Ne e kemi marrë një ftesë nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Albin Kurti, për të raportuar në Kuvend zv/kryeministri i parë, Behgjet Pacolli për punën e tij për sjelljen e njohjeve dhe angazhimin për investimet e huaja. Edhe pse ne e dimë që me Rregullore të Kuvendit dhe ligjet në fuqi, zv/kryeministri nuk mund të ftohet në raportim, megjithëkëtë zv/kryeministri Pacolli ka shprehur gatishmëri që t’i përgjigjet kësaj ftese dhe të shkojë në këtë komision. Nuk ka asnjë arsye pse të mos shkojë. Natyrisht si gjithmonë, zv/kryeministri Pacolli është transparent”, ka thënë Zyberaj./standardi.info