Kalo te lënda

EULEX-i dhe Policia e Kosovës koordinohen në Veri

f_0308211731764_aEULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë vendosur që të jenë më të koordinuar për veprimet që i bëjnë në veri të Kosovës.

Pas sulmeve të shpeshtuara ndaj qytetarëve në veri, ka pasur vazhdimisht kërkesa që prania e policëve të jetë më e shtuar. Kjo kërkesë është theksuar sidomos nga Shefja e Zyrës Administrative, Adrijana Hoxhiq, pasi që zyrtarët e këtij institucioni kanë qenë cak i sulmeve.

Policia e Kosovës dhe EULEX sot kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në të cilën kanë njoftuar se ta rrisin edhe më shumë praninë e tyre policore në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak të sulmeve të fundit me granata dhe shtimit të akteve të dhunës.

Zyrtari për Informim i Policisë së Kosovës, Avni Zahiti, ka shpjeguar për Telegrafin se deklarata është bërë edhe si përgjigje për spekulimet e ndryshme mediatike se nuk ka koordinim ndërmjet institucioneve të sigurisë.

“Në fakt, nganjëherë është krijuar një konfuzion, sepse ka pasur komunikata të veçanta të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it për të njëjtën çështje”, ka thënë Zahiti.

Ndërkohë, në komunikatën e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it thuhet se masat janë duke u ndërmarrë për ta mbrojtur komunitetin lokal.

“Numri i patrullave të përbashkëta të PK-së dhe EULEX-it do të shtohen veçanërisht gjatë natës. Po ashtu, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it mund të bëjnë edhe kontrollime parandaluese të personave dhe automjeteve”, thuhet në këtë komunikatë. /Telegrafi/

Lini një koment