Kalo te lënda

E çojnë në Gjykatë

fotoCA0JARKHKQZ ka aprovuar kërkesën e Fuad Ramiqit për ta bërë Lëvizjen Bashkohu parti politike. Por, vendimi po kundërshtohet nga një grup qytetarësh, Avokati i Popullit dhe disa OJQ. Ata thonë se regjistrimi i kësaj organizate islamike është kundërkushtetues. Paralajmërojnë padi në Gjykatën Kushtetuese, në emër të mbrojtjes së laicizmit.

Basri Beka është befasuar të enjten paradite. Ky qytetar nga Prishtina së bashku me dy tjerë kishte kundërshtuar regjistrimin e Lëvizjes “Bashkohu” si parti politike. Beka së bashku me Behxhet dhe Xhevdet Musliun kishin dërguar kundërshtimin e tyre në KQZ me arsyet për mos regjistrimin e Lëvizjes si parti. Pavarësisht këtij kundërshtimi KQZ të enjten ka pranuar Lëvizjen “Bashkohu” si parti politike.

Lëvizja që tash e tutje mban akronimin LISBA është rreshtuar krahas partive tjera politike. Për Basri Bekën ky vendim i KQZ-së është absurd. Me këtë veprim ai pretendon se është shkelur Kushtetuta e Kosovës.

“Një parti me orientim fetar sikurse kjo prishë natyrën e shtetit laik të Kosovës”, tha Beka.

Ai thotë se janë kundër regjistrimit të kësaj Lëvizje duke pasur për bazë edhe veprimtarinë e saj të mëhershme.

“Asnjë subjekt tjetër politik nuk është produkt i veprimeve radikale siç është ‘Bashkohu’”, thotë Beka.

Këto që ai thotë i bazon duke u nisur nga deklaratat e kreut të Lëvizjes Fuad Ramiqi në demonstrata të ndryshme që janë bërë si dhe në veprimet e disa nga anëtarëve të saj. “Disa nga anëtarët e kësaj organizate siç edhe e di opinioni kanë marrë pjesë në luftëra xhihadiste si në Siri e në vendet ku ka tendencë të imperializmit arab”, thotë Beka. Aktivitetet e Bashkohu Beka i krahason me komunizmin, fashizmin dhe nazizmin.

Por në programin e Bashkohu nuk vërehet se ata luftojnë për futjen e Sheriatit në ligjet e Kosovës. Mirëpo për Bekën në pikën 2 të programit shihet se ata kanë ditur ta maskojnë idetë e tyre.

“Lëvizja është e vendosur të kontribuojë në mbrojtjen e identitetin fetar”, thuhet në këtë pikë.

Duke u nisur nga kjo, sipas Bekës, ata do të bëjnë çmos që në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës të fusin edhe Sheriatin.

“Prej sot është mbjellë një farë e keqe”.

Mirëpo Basri Beka nuk do të ndalet. Thotë se ndaj këtij vendimi që ka marrë KQZ do të iniciojë padi edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Kundër regjistrimit të Bashkohu është edhe Avokati i Popullit Sami Kurteshi dhe Kosova 2.0. Madje anëtarët e kësaj reviste kanë arsye të mëdha që të reagojnë ndaj regjistrimit.

Anëtarët e Lëvizjes së Ramiqit në dhjetor të vitit që shkoi kishte ndërprerë dhunshëm lansimin e një edicioni të revistës Kosova 2.0, kushtuar seksit. Mirëpo KQZ mori vendim që LISBA të regjistrohet si parti e rregullt politike.

Me arsyetimin se statuti i LISBA nuk është në kundërshtim me rregulloren e KQZ-së, në këtë mbledhje është hedhur poshtë ankesa e tre qytetarëve kundër regjistrimit të “Bashkohu”.

Njëri nga anëtarë e KQZ-së Alban Krasniqi tha për Express se vendimi është marrë me votat e shumicës dërmuese të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Ai tha se nuk ka pasur asnjë votë kundër përveç një apo dy abstenimeve që kanë qenë.

“Unë e kam shqyrtuar letrën kundërshtuese të tre qytetarëve dhe nuk kam vërejtur ndonjë pengesë për regjistrim që ndërlidhet me ankesën e tyre. Në të njëjtën kohë kam kërkuar nga KQZ dhe ZRPP që ankesës së qytetarëve në fjalë tu kthehet përgjigje në të shkruar në mënyrë që t’u mundësohet adresimi i çështjes në instanca tjera nëse janë të pakënaqur me përgjigjen e ZRPP-ja dhe vendimin e KQZ-së”, tha Krasniqi.

Ai thotë se nuk ka vërejtur që dokumentacioni i dërguar nga Bashkohu është në kundërshtim me legjislacionin aktual (i cili ka mjaft zbrazëtira dhe duhet rishikuar sa më parë ), apo është në mospajtim me konventat ndërkombëtare që mbrojnë parimet dhe të drejtat themelore civile dhe politike, lirinë për të formuar dhe për tu bashkuar në një organizatë politike duke respektuar bindjen politike, përkatësinë etnike, kulturore dhe fetare.

Neni 5, pika c, e rregullores së KQZ-së për regjistrimin e një subjekti politik, thotë se kërkesa për regjistrim duhet të refuzohet vetëm nëse subjekti politik ka emër, akronim ose simbol që mund të nxisë urrejtje ndëretnike ose fetare.

Lideri i partisë Fuad Ramiqi të enjten nuk gjendej në Kosovë por ishte njoftuar për pranimin e lëvizjes që ai drejton në KQZ. Nga kryeqyteti turk në të cilën gjendet, Ramiqi nuk ka dashur të komentojë asgjë në lidhje me këtë vendim. Lëvizja Bashkohu njihet si organizatë që ka bërë protesta të shumta kundër përjashtimit të vajzave të mbuluara nga shkollat publike. Kjo Lëvizje ka protestuar shpeshherë edhe nëpër rrugë duke shprehur pakënaqësi për mos ndërtimin e një xhamie të madhe në kryeqytet. Madje “Bashkohu” ka kërkuar edhe lokacionet e preferuara për ndërtimin e saj. Protestat e Lëvizjes islame disa herë madje kanë eskaluar në incidente.

Me gjithë këto veprimet e Lëvizjes që tash shkurt quhet LISBA nuk janë përkrahur nga Bashkësia Islame e Kosovës. Këtë e konfirmon edhe kryemami Sabri Bajgora.

Ai nuk dëshiron të komentojë asgjë për regjistrimin e “Bashkohu” në parti politike me arsyetimin se BIK është apartiak.

“Për neve çdo parti është e njëjtë pavarësisht programeve të tyre”, tha Bajgora për Express.

Sipas kryeimamit të Kosovës BIK nuk është pajtuar me veprimet e kësaj Lëvizje pasi që sipas tij BIK-u është i interesuar që të gjitha problemet t’i zgjedhë në mënyrë institucionale.

Edhe krerët e Kishës katolike në Kosovë nuk duan të komentojnë çështjet që kanë të bëjnë me politikë.

“Kisha katolike nuk merret me çështje politike sepse natyra e saj është krejtësisht diçka tjetër. Prandaj duhet që shoqëria e përgjithshme të vlerësojë se a janë partitë e dobishme apo jo. Ne nuk deklarohemi për këtë punë sepse ne nuk i njohim se cilat dhe çfarë synime ka kjo lëvizje”, tha Don Shan Zefi për Express.

Lëvizja Islame Bashkohu aplikoi më 1 shkurt të këtij viti në Komisionin Qendror Zgjedhor që të regjistrohet si subjekt politik me të drejtë garimi në zgjedhje parlamentare.

Lini një koment