Kalo te lënda

Baronesha në terren

fotoPërfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton, do të qëndrojë në Kosovë më 13 e 14 mars. Gjatë vizitës, që ka për qëllim t’i japë shtytje dialogut Prishtinë-Beograd, Baronesha do të takojë edhe udhëheqësit e opozitës. Kryediplomatja europiane të hënën e ardhshme në Bruksel do t’i presë zyrtarët e lartë serbë.

Ndërmjetësuesja e dialogut Kosovë-Serbi, Baronesha Catherine Ashton, pritet të vizitojë Kosovën pas një jave ku pritet t’i takojë lidershipin kosovar dhe përfaqësuesit e opozitës.

Burime të Express kanë treguar se Ashton në Prishtinë do të qëndrojë më 13 dhe 14 mars, pesë ditë para se të mbahet raundi i shtatë i dialogut me Serbinë.

Por, zyrtarisht në Zyrën e Ashtonit nuk kanë konfirmuar asgjë.

Zëdhënësja e Baroneshës, Maja Kocijancic, ka thënë se nuk mund të thotë asgjë për momentin.

“Ndërsa ne jemi në kontakt të rregullt me të dyja palët, nuk kam asgjë për të bërë publike ”, ka thënë Kocijancic.

Konfirmimin e vizitës së Baroneshës Ashton në Kosovë e ka bërë Kryeministri Thaçi të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.

“Takimi tjetër do të mbahet më 20 mars, ndërsa pres që në ditët e ardhshme Kosovën ta vizitojë Baronesha Ashton dhe do të kemi biseda të tjera këtu në Prishtinë, si institucione të Republikës së Kosovës, si lidership i Kosovës”, ka thënë Thaçi./Indeksonline/

Lini një koment