Akuza të reja për Tolajn, Bukoshin e
Në ambientet e kinemasë ABC1, Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten vazhdoi seancën kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe pesë të pandehurve të tjerë të që po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve.
Prokurorja Maria Bamieh, ashtu siç kishte paralajmëruar në nëntorin e vitit të kaluar, sot para gjykatës solli një zgjerim të aktakuzës për Bujar Bukoshin, Ilir Tolajn dhe Hajrullah Fejzën, raporton gazeta Jeta në Kosovë.
Ish ministri i shëndetësisë Bukoshi, tani me këtë zgjerim po akuzohet dhe për shpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas akuzës Bukoshi ishte ngutur që ta kthente në pozitën e sekretarit permanent Ilir Tolajn, sapo Gjykata Supreme kishte marrë vendim që ai të kthehet në punë.
Në aktakuzë po ashtu thuhet se, Bukoshi e kishte ditur që Prokuroria Speciale po zhvillonte hetime kundër Tolajt, por ai prapëseprapë e kishte kthyer në punë atë, edhe pse, Gjykata Supreme në vendimin e saj nuk e urdhëroi Ministrinë e Shëndetësisë që ta bënte një gjë të tillë.
Sekretari permanent në suspendim, Ilir Tolaj së bashku me Hajrullah Fejzën, sipas aktakuzës së zgjeruar akuzohen se kanë shpërdorur detyrën zyrtare kur i kanë bërë presion Ekrem Maliqit që ai të nënshkruhet në një komision vlerësues. E pasi që Maliqi nuk e kishte nënshkruar atë vlerësim, atij iu ndryshua menjëherë pozita e punës.
Sipas akuzës, Maliqi ishte ankuar dhe kishte fituar prapë pozitën e punës edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. Por prokurorja Bamieh tha se në rastin e Ekrem Maliqit, Bujar Bukoshi nuk ishte ngutur që ta kthente në pozitën e tij të punës si shef të prokurimit.
Prokurorja tha se akuzat e reja i ka bazuar në deklarimet e dëshmitarit Ekrem Maliqi dhe në disa dëshmi të tjera që i ka në shkresat e lëndës, siç janë edhe email-at.
Mbrojtja e tre të pandehurve, e kundërshtoi këtë zgjerim të aktakuzës, pasi që sipas tyre po bëhet në kundërshtim me nenin 351 të Kodit të Procedurës Penale.
Mbrojtësit kundërshtuan edhe bazimin e akuzave të reja në deklarimet e Ekrem Maliqit, pasi që gjykatësi i konfirmimit, në vendimin mbi konfirmimin, i kishte shpallur këto prova të papranueshme.
Besnik Berisha, avokati mbrojtës i Bujar Bukoshit, tha se kjo akuzë e re nuk është as vepër penale, pasi që Bukoshi nuk ka bërë asgjë më shumë se që ka respektuar vendimin e Gjykatës Supreme.
Sipas avokatit Berisha, në këtë rast mungon pala e dëmtuar, pra “askush nuk është ankuar se Tolaj është kthyer në vendin e tij të punës”.
Edhe avokati Ramë Gashi, mbrojtësi i Hajrullah Fejzës, deklaroi se “me veprimin e prokurores po shkelet neni 351 i KPPK-së, pasi që prokurorja deklaron se ka qenë në dijeni të këtyre veprave të të pandehurve që në fazën e hetimeve. Pse nuk janë në aktakuzë atëherë, por tani. Çdo zgjerim apo ndryshim në këtë rast është i kundërligjshëm”.
Prokurorja po ashtu njoftoi palët se kishte nxjerrë të gjithë email-at nga serveri i Ministrisë së Shëndetësisë, dhe se zyrtarja ligjore kishte ndarë disa e-maila që ishin të rëndësishëm. Këta e-maila do t’i paraqiteshin gjykatës dhe palëve në kopje të mjaftueshme.
Prokurorja i ofroj mbrojtjes që të shkojnë në zyrën e saj që t’i shohin emailat e tjerë dhe të kopjojnë ato që u nevojiten, pasi që totali i e-mailave ishte 20 mijë dhe të gjithë nuk mund të kopjoheshin e të silleshin në gjykatë, meqë nuk ishin relevantë.
Në këtë seancë mungonte avokati Naser Peci, mbrojtës i të pandehurës Arbenita Pajaziti, që kishte njoftuar gjykatën për një rast në familjen e tij. Pajaziti kërkoi nga gjykata që të mos e marrë në pyetje Ekrem Maliqin dhe Alban Pozhegun derisa mungonte avokati i saj.
Në anën tjetër prokurorja Bamieh, u interesua të dinte nëse avokati kishte arsye të fortë që nuk vinte, dhe nëse nuk kishte pasur mundësi pse nuk kishte caktuar avokat zëvendësues. Ajo kërkoi që avokati të gjobitet për këtë mungesë.
Në anën tjetër, Kryetarja e trupit gjykues Cornelie Peeck, shpjegoi se gjykata e di arsyen e vonesës dhe pamundësinë e caktimit të një zëvendësimi.
Pas kësaj gjykata aprovoi kërkesën e të pandehurës Pajaziti, që të mos dëgjohen dëshmitarët Maliqi e Pozhegu, pa praninë e avokatit Peci.
Tutje gjykata, pas disa pushimeve arriti të dëgjonte dëshmitarin Besim Mulaj, punëtorin e Ministrisë së Brendshme për çështjet e buxhetit, ish ekspertin e OShP-së.
Mulaj ishte eksperti që kishte përgatitur ekspertizën e tij për OShP-në në tenderin për materialin shpenzues mjekësor, përkatësisht ankesat për lotin 20 të tenderit.
Sipas dëshmitarit Mulaj, ankesa kishte ardhur nga Jona Med-i dhe Medison, dy kompani që kishin konkurruar në tender. Atij i ishte kërkuar që të konstatonte nëse Jona Med-i kishte plotësuar kushtet sipas specifikacioneve të tenderit.
“Jona Med-it në katalogun e saj I kanë munguar pikat 5 dhe 6 të kërkuara në tender, ky ishte konstatimi im” tha Mulaj për gjykatën.
Seanca në rastin Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët do të vazhdojë të premten me dëshmitarë të tjerë.
Aktakuza e prokurores Maria Bamieh e ngarkon ish-Ministrin e Shëndetësisë Bujar Bukoshi se kishte mbajtur takim me operatorë ekonomikë përpara vendimeve për dhënie kontratash, gjë që është praktikë e pazakonshme.
Po ashtu, ai akuzohet se nuk kishte vazhduar kontratat me tri kompani kosovare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit. Për këtë pjesë aktakuza është konfirmuar.
Po ashtu aktakuza është konfirmuar për Ilir Tolajn në disa nga pikat e aktakuzës. Tolaj para gjykatës do të përgjigjet për tentim dhe shpërdorimin të pozitës zyrtare ose autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje e ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.