Kalo te lënda

1.3 milion për mekanizim bujqësor

bujqesi_(2)_442686Fermerëve kosovarë, çdo ditë e më shumë po iu lehtësohet puna në veprimtaritë e tyre bujqësore. Ata përmes granteve investive dhe subvencioneve, deri më tash janë mbështetur në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, në shtimin e prodhimtarisë bujqësore dhe në përmirësimin e infrastrukturës përcjellëse në fermat e tyre.

 

Fermerëve kosovarë, çdo ditë e më shumë po iu lehtësohet puna në veprimtaritë e tyre bujqësore. Ata përmes granteve investive dhe subvencioneve, deri më tash janë mbështetur në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, në shtimin e prodhimtarisë bujqësore dhe në përmirësimin e infrastrukturës përcjellëse në fermat e tyre.

E sivjet, për herë të parë ata po mbështeten edhe me mekanizëm bujqësor, gjë e cila pritet të krijojë lehtësira të mëdha për operimin e tyre në sektorin e bujqësisë. Për të realizuar këtë mbështetje, Ministria e Bujqësisë, ka ndarë një fond prej 1.3 milionë euro, përmes të cilit do t’i mbështes fermerët në blerjen e mekanizmit bujqësor në sektorin e drithërave, blegtorisë, pemëtarisë dhe perimtarisë.

Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se përmes modernizimit të mekanizmit bujqësor, synojnë të ulin koston prodhuese dhe të rrisin produktivitetin e punës nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës.

Adil Behramaj, zëdhënës në Ministrinë e Bujqësisë, tha se sivjet investimet janë shumë më të mëdha krahasuar me vitet e kaluara dhe se në kuadër të programit mbështetës kanë shumë risi, ku pjesë e tyre është edhe mbështetja me mekanizim bujqësor. “Modernizimi i mekanizimit bujqësor ndikon në shfrytëzimin e resurseve bujqësore dhe nënkupton shfrytëzim të tokës dhe inputeve bujqësore me efikasitet dhe efektivitet më të lartë, duke ndikuar në uljen e humbjeve në fazat e ndryshme të prodhimit të kulturave bujqësore dhe në rritjen e produktivitet të tyre.

Gjithashtu, ndikon edhe në optimalizimin e afateve kohore të operimeve me saktësi dhe cilësi në përdorimin e inputeve dhe investimet maksimale të pranueshme për fermerë në këtë nënmasë, arrijnë deri në 100 mijë euro, ku 65 përqind të këtyre investimeve mbulohen nga Ministria e Bujqësisë”, tha Behramaj.

Ndryshe, fermerët në sektorin e drithërave do të mbështeten në blerjen e traktorëve, plugjeve, trinave, pijetoreve, makinave mbjellëse për misër, makinave për shpërndarjen e plehut, makinave për tharjen e misrit dhe makinave për nxjerrjen e patates.

Fermerët në sektorin e perimtarisë, do të mbështeten në blerjen e makinave mbjellëse për speca dhe lakër. Blegtorët, do të mbështeten në blerjen e presave për balosje, rrotoballerë, në makina për zhvoshjen e misrit dhe silazhim, në autokombajnë për silazh dhe rimorkio për shpërndarjen e plehut organik, në rimorkio për transport, në makina për kositje, për rrotullimin e barit dhe në përzierëse. E pemëtarët dhe vreshtarët do të mbështeten në blerjen e makinave për mullqerim, atomizerë, shpërndarës të pluhurit dhe kultivatorë për vreshta.

Periudha e aplikimit për të përfituar nga kjo nënmasë tashmë është hapur dhe aplikuesit duhet që kërkesat e tyre për një makinë ose pajisje të caktuar t’i kenë në përputhje me madhësinë e fermës. /Kosovapress/

Lini një koment