Kalo te lënda

Thirrje për protesta në Shkup

Përmes rrjeteve sociale të internetit sërish janë bërë thirrje për protesta nesër dhe pasnesër në Shkup.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) bëri të ditur sot, përmes një komunikate, se po ndjekin këto thirrje.

“Po punohet për identifikimin e profileve të individëve dhe grupeve që po thirrin për protesta dhe që mund të jenë organizatorë të grupeve në rrjetet sociale, si në Facebook. Disa nga grupet dhe profilet që bëjnë thirrje për urrejtje dhe shkelje të rendit dhe qetësisë janë shlyer, ndërsa është procedura edhe për profilet e tjera”, theksoi MPB.

Ky dikaster ka bërë thirrje për mirëkuptim dhe për të ndaluar sjelljet devijuese dhe të dhunshme, transmeton INA.

f_0307221157546_m“Pavarësisht se nuk janë lajmëruar protestat, në bazë të informacioneve dhe të dhënave operative policia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, ndërsa ndaj të gjithë atyre që marrin pjesë apo shkaktojnë incidente do të ndërmerren sanksione të ashpra. Qytetarët që mendojnë të marrin pjesë në ndonjë protestë nuk duhet të lejojnë që të manipulohen dhe të futen në çdo lloj skenari, për shkak se përgjegjësia bie edhe mbi ta”, thekson MPB, duke i bërë thirrje sektorit civil, mediave dhe të gjithë qytetarëve që të japin kontributin e tyre për uljen e tensioneve.

Kjo ministri thekson se në bazë të materialeve të deritanishme të siguruara edhe nga mediat, ka identifikuar disa persona që kanë marrë pjesë në dhunën e javës së kaluar, të cilët janë thirrë në biseda informative. Sipas MPB-së, pesë prej të ndaluarve dyshohen se janë të involvuar në protestat e së premtes, ndërsa janë edhe të tjerë që janë të përfshirë në incidentet e së shtunës. Tre prej tyre janë të moshës së mitur. /Telegrafi/

Lini një koment