Kalo te lënda

Kërkojnë të trajtohen si prokurorët

fotoGjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë po ankohen se nuk po trajtohen në mënyrë të barabartë me prokurorët. Ky reagim ka ardhur pas vendimit të Qeverisë për shtesa në pagën e prokurorëve të Prokurorisë Speciale.

Sipas Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi, gjyqtarët nuk janë kundër kësaj shtese mirëpo po bëhët një ndarje në dy kategori e cila nuk është e shëndetshme për sistemin gjyqësor dhe prokurorial në vend.

“Gjyqtarët nuk ankohen se prokurët kanë shtesa në të ardhura personale ,nuk kemi asgjë kundër mirëpo gjyqtarët kanë vërejtje se duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Kjo ndarje në dy kategori nuk pranohet lehtë nga gjyqtarët. Ne kryejmë punën e njëjtë, mos të them më të vështirë se prokurorët”, ka thënë Ibrahimi për KTV-në.

Madje, Ibrahimi ka thënë se gjyqtarët përpos që nuk marrin asnjë shtesë, ata kanë zbritje në të ardhurat personale në krahasim me vitin e kaluar. Kjo sipas Ibrahimit, ka ndikuar keq dhe ka çuar në vërejtje të shumta, ankesa e parashtresa.

Sipas Ibrahimit, kjo rrezikon largimin e gjyqtarëve nga sistemi gjyqësor dhe prokuroria i Kosovës, prandaj duhet të krijohet baza e duhur materiale dhe të krijohet motivacioni i duhur që të shmanget kjo.

Ibrahimi ka pranuar që ka presione dhe kërcënime në punën e tyre mirëpo kjo nuk ka ndikuar në profesionalizmin e tyre

“Ka pasur raste kur edhe prokurorët edhe gjyqtarët kërcënohen dhe kalohen në presione dhe sfida të ndryshme , por këto nuk kanë ndikuar në punën që kryhet”, ka shtuar ai.

Duke folur për gjendjen e sistemit të drejtësisë në vend, Ibrahimi ka vlerësuar që sistemit gjyqësor në vend nuk i është kushtuar vëmendje e duhur institucionale që nga paslufta.

“Që nga paslufta sistemit të drejtësisë nuk i është kushtuar vëmendje në kuptimin kadrovik dhe material. Gjykatat në Kosovë janë të ngarkuara disa të stërngarkuara me lëndë.Problemi është që edhe sikur të kemi kuadra nuk kemi ku ti vendosim, po presim objektin e ri”, ka shtuar Ibrahimi./Indeksonline/

Lini një koment