Apelohet të mos bëhen pazare me dëshmorët
Ka përfunduar “Nata e Zjarreve” në Prekaz, një manifestim që tashmë është bërë tradicional në shenjë nderimi për rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.
Ushtarët e UÇK-së me flakadanin e ndezur, simbol lirie kanë bërë nderim pranës kullës së Jasharajve dhe më pas në vendin ku prehen komandanti legjendar Adem Jashari dhe dëshmorët e familjes Jashari.
Pas ndezjes së flakadanëve, kryetari i OVL-së të UÇK-së Muharrem Xhemajli i’u është drejtuar të pranishmëve me një fjalim rasti. Ai ka thënë se akoma nuk është plotësuar ideali i dëshmorëve të kombit për bashkim të trojeve shqiptare, derisa ka akuzuar liderët politikë në vend se po bëjnë pazare me dëshmorët e kombit.
“Kemi edhe shumë punë për ta arritur idealin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve për bashkimin trojeve shqiptare.I bëjmë thirrje krerëve politik që të mos bëjnë pazare më dëshmoret sepse ata janë të kombit e jo të partive politike, ata dhanë jetën për bashkim e jo që ne të jetojmë të ndarë. Veteranët do të jemi gjithmonë në mbështetje të këtij ideali dhe do të punojmë për realizimin e tij”, ka thënë Xhemajli.
Me manifestimin “Nata e Zjarreve” në Prekaz, janë përmbyllur ditët e “Epopesë së UÇK”-së, kushtuar 15-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, të më shumë se 50 anëtarëve të familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Indeksonline/