Takimi i parë pas heqjes së lapidarit
Me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së në Serbi, është zhvilluar sot takimi i parë i ashtuquajtur për “vazhdim të dialogut në mes të përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe Qeverisë së Serbisë”.
Përderisa në takim merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike që tubojnë shqiptarët e Luginës, qeverinë serbe e përfaqësonte Kryetari i Trupit Koordinues qeveritar për Jug të Serbisë, Zoran Stankoviq.
Në takimin e sotëm i cili u mbajt pa pranin e medieve, shqiptarët duket të ishin të përgatitur. Ata gjatë takimit siç mësohet ia kanë dorëzuar një listë kërkesash përfaqësuesit të qeverisë serbe, përmes së cilës janë kërkuar zgjidhjet e një varg kërkesave jetike për shqiptarët e këtushëm, transmeton RTK.
Takimi i sotëm është i pari që pas heqjes arbitrare të Pllakës Përkujtimorë të Dëshmorëve të UÇPMB-së në qendër të Preshevës, nga ana e xhandarmërisë serbe.
Ndryshe as takimi i sotëm nuk ka kaluar pa tensionim të gjendjes në Luginë. Në orët e para të ditës së sotme persona të paidentifikuar kanë hequr nga ballkoni i godinës së Këshillit Kombëtar Shqiptarë, flamurin kombëtar të cilin autoritetet e Këshillit Kombëtar e patën vendosur që nga 28 nëntori i vitit të kaluar dhe asnjëherë nuk e kishin hequr përkundër kërcënimeve dhe urdhëresave të ndryshme të autoriteteve shtetërore serbe.