Salihaj: Daci me bashkëpartiakët jetojnë në ëndrra!
Krerët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) janë duke jetuar në iluzione se e kanë të fortë partinë, por në fakt ata nuk kanë gjasa të mbijetojnë ndryshe përpos duke iu bashkuar LDK-së. Ky është vlerësimi i Adem Salihaj, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Ferizaj, i cili ka qenë njëri prej anëtarëve themelues të LDD-së. Salihaj ka deklaruar për Telegafin se krerët e ‘dardanëve’, Nexhat Daci, Besa Gaxherri e Lulzim Zeneli, si duket nuk shohin mundësi për të kaluar diku tjetër, prandaj ia bëjnë qefin vetes. Reagimi i Salihajt pason një deklaratë të nënkryetares së LDD-së, Besa Gaxherri, e cila ka deklaruar për gazetën “Tribuna” se partia e saj ndihej e tradhtuar pas kalimit në LDK të degës së LDD-së në Ferizaj. Por, Salihaj ka deklaruar se në fakt ky kalim kishte ndodhur para dy vjetësh.
“Kishte mbetur vetëm afër 20 për qind e anëtarëve të Degës së LDD-së pa aderuar në LDK. Tash ndodhi edhe kalimi komplet”, ka thënë Salihaj për Telegrafin.
Gjithashtu, Salihaj thekson se është gati i pamundshëm bashkimi i përfolur i LDD-së me AAK-në.
Sipas tij, elektorati i paktë i mbetur i LDD-së është rugovist dhe assesi nuk do të pranonte një pazar të tillë politik.
Gjatë deklarimeve të mëparshme, krerët e LDD-së kanë deklaruar se janë duke shikuar mundësinë për të krijuar një aleancë me LDK-në, por kanë mohuar se do të ketë shkrirje në partinë amë.
Partia që e udhëheq akademik Nexhat Daci u krijua si fraksion i LDK-së pas ndarjes së madhe që ndodhi në ‘kuvendin e karrigeve’ të LDK-së në vitin 2006. Në zgjedhjet e para pas kësaj, LDD-ja arriti që të hyjë në Kuvend me dymbëdhjetë deputetë, ndërsa në zgjedhjet e fundit nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.