LDK: Pushteti lokal keqmenaxhon në Dragash
Dega e Lidhjes Demokratike në Dragash akuzon pushtetin lokal se me qeverisjen e deritanishme po e fundos perspektivën e kësaj Komune. Kryetari i Degës, Fatmir Mehmeti, ka thënë se në këto dy mandate të qeverisjes, kjo klasë udhëheqëse dëshmoi paaftësinë e vet politike me veprime pa sens profesional. Kritikat i ka filluar me Drejtorinë e Arsimit, e cila, sipas LDK-së, ka diskriminuar kuadrot e dëshmuara të këtij subjekti politik. “DA-ja fillimisht ka lënë pa punë ish-kryetarin e Komunës, ish-shefin e personelit dhe drejtorë shkollash, ndërkaq këtë vit ka shkelur edhe Ligjin mbi Arsimin Parauniversitar në Kosovë, neni 35, pika 1, duke mos shpallur konkurse të rregullta për pranimin e punëtorëve të rinj, dhe për pasojë nuk ka mësimdhënës adekuatë për lëndë në shumë shkolla”, thekson ai, për të shtuar se kjo praktikë e keqe ndodhi edhe gjatë këtyre ditëve duke u pranuar një mësimdhënës në shkollën e mesme, pa konkurs, dhe pa përgatitje të duhur.
Duke iu referuar gjendjes në shëndetësi, kreu i LDK-së nënvizon se kjo drejtori, fillimisht ka shkelur Ligjin, duke emëruar drejtorin e QKMF në Dragash në mënyrë të jashtëligjshme, ka shpërdoruar participimet e kontrolleve mjekësore nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe në vetë QKMF-në, ku gjatë nëntëmujorit të vitit të kaluar janë avulluar më tepër se 50 mijë euro, pasqyrë kjo që është publikuar në raportin zyrtar të pushtetit lokal.
Mehmeti ka kritikuar pushtetin edhe për veturat e zyrtarëve komunalë, të cilat, sipas auditorit të jashtëm, për çdo 100 metra rrugë kanë shpenzuar 20 euro, kanë bërë shpenzime enorme për mirëmbajtjen e tyre.
Më tej, ai ka thënë se kryetari i Komunës, Salim Jonuzi, ka shkelur ligjin duke shpallur park nacional 57% të territorit të Komunës, edhe atë kokë në vete, pa e përfillur madje as Kuvendin Komunal, e as shkresën zyrtare të Ministrisë së Pushtetit Lokal.