Hiqet flamuri kombëtar nga ndërtesa e Këshillit Kombëtar Shqiptar
Bujanoc, 25 shkurt (AIP) – Të shtunën pas mesnate nga persona të panjohur e të papërgjegjshëm është hequr flamuri kombëtar nga ndërtesa e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, njofton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka reaguar ashpër, të hënën, duke shprehur shqetësimin për heqjen e flamurit kombëtar nga ballkoni i godinës së këtij institucioni, gjatë natës të së shtunës, (23/24. 02. 2013), nga autorë të panjohur.
Kyretari i Këshillit Kombëtar Shqiptar z.Galip Beqiri për “Presheva Jonë” këtë akt e ka quajtuar “nje vepër vandale e konsideruar si hap qyqar dhe drejtpërdrejt sulm në identitetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe mohimin e të drejtës për t`u identifikuar publikisht.”
Veprimet e tilla, sipas KNSH-së ashpërsojnë dhe tensionojnë edhe ashtu të brishta marrëdhëniet ndëretnike në Luginën e Preshevës, për më tepër, nëse kryesit e këtyre veprave që dhunuan identitetin e këtij institucioni, nuk ndëshkohen dhe janë në funksion të trysnisë dhe presionit në mohimin e identitetit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Këshilli Kombëtar Shqiptar tashmë ka njoftuar organet e rendit me ç`rast kërkon hetimin dhe zbardhjen e rastit në fjalë dhe të autorëve të kësaj vepre qyqare.
Flamuri kombëtar shqiptar në ballkonin e ndërtesës së Këshillit Kombëtar Shqiptar qe vendosur me rastin e festimit e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, ndërsa heqja e flamurit kombëtar shqiptar nga persona të panjohur ndodhi, pikërisht në vigjilje bisedimeve të paralajmëruara mes shqiptarëve të Luginës dhe Beogradit zyrtar, ku dhe njëra nga kërkesat e palës shqiptare kaherë ka qenë edhe përdorimi i simboleve kombëtare të bashkësive etnike, gjegjësisht të shqiptarëve të Luginës.