Deputetët e PDK-së “tradhtojnë” shqiptarët e veriut
Vetëm nëntë deputetë nga 34 sa i ka Partia Demokratike e Kosovës, kanë shprehur vullnetin e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve që jetojnë në veri të Mitrovicës.
Me gjithë zotimin që deputetë e kësaj partie kishin dhënë se do ta ndanin nga një pagë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Komuna e Mitrovicës ia ka ofruar gazetës “Tribuna” listën e donatorëve të cilët kanë kontribuar në ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri të Mitrovicës, ndërsa aty vërehet qartë se vetëm nëntë deputetë të PDK-së e kanë mbajtur premtimin e dhënë.
Pjesa më e madhe e këtyre humanistëve janë ish-anëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër, janë familjarë të tyre dhe njerëz të luftës.
Përgjithësisht, Bekim Haxhiu, Fadil Demaku, Latif Gashi, Fatmir Xhelili, Adem Grabovci, Sala Berisha Shala, Idriz Vehapi, Blerta Deliu-Kodra dhe Ramiz Lladrovci, janë ata që e kanë mbajtur zotimin e dhënë, apo së paku kanë treguar se janë të gatshëm për t’i ndihmuar shqiptarët të kthehen në pronat e tyre.
Zyrtari për Informim në Komunën e Mitrovicës, Ahmet Jashari, ka thënë për gazetën “Tribuna” se nuk e dinë se sa deputetë të PDK-së e kanë mbajtur premtimin e dhënë për ndarjen e një page të deputetit për të kontribuar në fondin “Ndihmo edhe ti” për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri, por ka sqaruar se kushdo që ka kontribuar, emrin e ka në listë.
“Në listë janë emrat e të gjithë personave të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të kontribuar në këtë fond. Nëse emri i dikujt nuk është aty, atëherë del se ai ose ata nuk kanë kontribuar asgjë”, ka thënë Jashari. (ORAinfo)