Kalo te lënda

Brovina nuk beson se Krasniqi do të formojë parti

f_0225225627366_aAnëtarja e Këshillit Drejtues të PDK-së, Flora Brovina, nuk beson se ish-sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi do të formojë një parti të re. Kurse për Fatmir Limajn ka thënë se ai ka peshë të madhe në PDK, prandaj duhej të ishte njëri nga nënkryetarët e partisë.

Duke folur për mundësinë që kryeparlamentari Jakup Krasniqi të braktis PDK-në dhe të krijojë një parti të re, Brovina ka deklaruar për Telegrafin se përvoja ka treguar se ata që janë shkëputur nga partitë e mëdha nuk kanë mundur të mbijetojnë.

“Nuk e di, nuk e pres që ai të formojë parti. Përvoja e ka tregu edhe në vendet tjera edhe në Kosovë, se shkëputja prej partisë, dhe formimi i një partie të re rezulton i pasuksesshëm”, ka thënë Brovina.

Brovina e ka vlerësuar Konventën VI të PDK-së si një test që tregoi se partia është e fuqishme.

“Konventa ka shkuar më mirë se që është pritur dhe me rëndësi është se ‘nuk ka pasur thyerje të karrigeve’, ka thënë Brovina.

Ajo ka thënë se ka pasur raste kur disa prej anëtarëve të PDK-së, gjatë Konventës, nuk e kanë lexuar as statutin e partisë dhe kanë pretenduar të zgjidhen në hierarkinë e lartë të PDK-së.

“Një pjesë e anëtarëve të Kryesisë kanë krijuar identitet brenda partisë, kanë kontribuar në parti. Ndërsa, një pjesë e anëtarëve nuk janë meritor që të jenë në Kryesinë e PDK-së. Janë pa përvojë, mirëpo është shans që i jepet çdokujt për t’u dëshmuar”, ka thënë Brovina.

Ajo ka deklaruar se Fatmir Limaj ka një peshë të madhe në PDK, prandaj duhej të ishte njëri nga nënkryetarët e partisë.

“Kur të jetë i lirë, ai do të reflektojë vetë. Meriton të jetë i lirë dhe t’i bashkohet strukturave të partisë”, ka thënë Brovina. /Telegrafi/

Lini një koment