Analiza laboratorike edhe për qumështin vendor
Kanë filluar analizat laboratorike edhe të qumështit vendor, për të verifikuar praninë apo jo të substancës aflatoksinë. Zyrtarë për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, thonë se mostrat nga qumështi i papërpunuar nga 18 fabrika vendore janë duke iu nënshtruar analizave preliminare laboratorike, ndërkaq rezultatet pritet të dalin së shpejti.
Substanca kancerogjene aflatoksinë dyshohet të ketë qenë e pranishme në disa lloje të qumështit të importuar nga vendet e rajonit, të cilat janë larguar nga tregu.
Aflatoksina është substancë myko-toksike natyrore, e formuar nga kërpudha të caktuara në zinxhirin ushqimor të kafshëve. Formohet në periudhën e korrjeve ose pas korrjeve, nga thatësia, si dhe tek ushqimi i kafshëve, i cili qëndron për një kohë të gjatë në ambiente të mbyllura, raporton Koha.
Aflatoksina është substancë kancerogjene që sulmon mëlçinë, dhe prania e sasisë së kësaj substance në ushqim, është e rregulluar me ligj.