Shtetësia gjermane për kosovarë, pa lejen e përfaqësive serbe
Grupimi politik “Freie Wähler” (Zgjedhësit e lirë) në parlamentin e landit gjerman të Bavarisë ka kërkuar nga qeveria që shtetasit kosovarë të mos diskriminohen me rastin e kërkesave të tyre për marrjen e shtetësisë gjermane. “Freie Wähler” këtë kërkesë parlamentare e ka bërë në shenjë të pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Fraksioni politik në parlamentin e këtij landi ka kërkuar që qeveria të hartojë një raport në lidhje me përparimet drejt reduktimit të burokracisë në dhënien e shtetësisë kosovarëve. Pengesa më e madhe deri më tash ka të bëjë me atë që landi i Bavarisë, krahas landit Sachsen, është i vetmi që si kusht për dhënien e shtetësisë kosovarëve u kërkon të heqin dorë nga shtetësia kosovare dhe nga ajo serbe.
Kjo heqje dorë nënkupton bërjen e një kërkese formale në përfaqësitë serbe në Gjermani. “Shumë kosovarë e përjetojnë si poshtërim që të ‘lusin’ armikun e dikurshëm të luftës për t’i liruar ata nga shtetësia serbe”, ka thënë Florian Streb, kryetar i fraksionit.
“Freie Wähler” pati kërkuar qysh në nëntor 2011 nga qeveria e landit që të bëhen lehtësime në natyralizimin e kosovarëve. Me atë rast, ministri për çështje shtetërore, Joachim Herrmann kishte premtuar procedura jo burokratike në këtë drejtim. Se sa është arritur në këtë drejtim, do të shihet nga përgjigja që do të marrë “Freie Wähler” nga qeveria, shkruan bundespresseportal.de., transmeton albinfo.
Strebl ka thënë se fraksioni i tij ka mbledhur gjatë vitit të kaluar 20 raste për t`ia dorëzuar ministrisë përkatëse si dëshmi se problemet vazhdojnë të ekzistojnë. Ai ka shtuar se do të duhej të bëhej e mundur që personat, të cilët i kanë plotësuar të gjitha kushtet për shtetësi, të mos detyrohen të bëjnë kërkesë edhe për dorëzim të shtetësisë serbe.