Kalo te lënda

Mungesa e ujit dhe ngrohjes shtrenjtojnë faturat e rrymës

f_0224204547742_mFaturat e larta të energjisë elektrike pritet t’i përcjellin qytetarët e Prishtinës edhe një kohë të gjatë. Kjo për shkak të pamundësisë së furnizimit të kryeqytetit me ujë të pijshëm nga ujësjellësi rajonal “Prishtina” dhe me ngrohje nga “Termokosi” pas orës 22:00, kur nis aplikimi i tarifës më të lirë të energjisë.

Zyrtarë të ujësjellësit rajonal “Prishtina” thonë të mos e kenë të mundur të furnizojnë pas orës 22, shkaku i mungesës së ujit, raporton KTV.

Arbërie Zogjani, zëdhënëse e ujësjellësit Prishtina, thotë se një zgjidhje do të bëhet vetëm pas ndërtimit të fabrikës së re të ujit në Shkabaj të Prishtinës.

Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka-Fejzullahu, thotë se kjo kompani edhe me ligj e ka orarin për të furnizuar 24 orë me ngrohje, mirëpo për shkak të mungesës së mazutit një gjë e tillë mbetet e pamundur.

Zyrtarë të KEK-ut i thanë Kohavisionit se nëse ndryshohet vendimi për orarin e tarifës së ulët të energjisë, ata janë të gatshëm ta aplikojnë një gjë të tillë.

Por, personat përgjegjës në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, të cilët janë në shqyrtim të çmimit të ri të energjisë, thonë se janë të hapur të presin çdo propozim që do të ishte në të mirë të konsumatorëve. /Telegrafi/

Lini një koment