Kalo te lënda

Pesë vjet (keq)qeverisje

f_0214171502686_mQytetarët dhe opozita në vend, pesë vjetorin e qeverisjes së Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së vendit, e vlerësojnë si të dështuar. Por, me këtë nuk pajtohen ata që qeverisin me vendin, të cilët deklarojnë se gjatë këtyre pesë viteve kanë bërë ndryshime të mëdha të cilat i kanë dhënë një pamje tjetër Kosovës.

Në anketën e zhvilluar nga Agjencia Kosovapress, në pyetjen “Si e vlerësoni qeverisjen e vendit në pesë vjetorin e themelimit të shtetit të pavarur?”, nga 2647 respodentë sa kanë votuar, 650 prej tyre – apo 25 për qind – e kanë vlerësuar si të suksesshme, 1834 apo 69 për qind e kanë vlerësuar si të dështuar, ndërsa ata që janë deklaruar se nuk e dinë kanë qenë 163 apo 6 për qind.

Me këto vlerësime nuk pajtohet Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

“Pas pesë vitesh Kosova ka pësuar ndryshime të mëdha pozitive. Janë treguar suksese të cilat janë të prekshme për çdo qytetar të vendit tonë, në të gjitha fushat e jetës. Megjithatë, nuk duhet të them se çdo gjë është lule siç thotë populli”, ka thënë Grabovci.

Ai ka përmendur përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë si një të arritur të madhe për vendin. Gjithashtu, ka thënë se janë shënuar arritje edhe në zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë në përgatitjen e kushteve për zhvillim të mirëfilltë ekonomik.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, kohën gjatë qeverisjes – sa ka qenë në koalicion edhe partia e tij nuk e ka quajtur një keqqeverisje – por kështu nuk e ka vlerësuar edhe kohën e qeverisjes së vendit prej kur nuk ishte edhe LDK-ja.

“Duhet dalluar që janë dy legjislatura të ndryshme. Duhet të kem të qartë që më 2007-2010, ka qenë një koalicion tjetër, një qeveri tjetër, që edhe atëherë ka pas defekte. Pavarësisht që ka qenë LDK-ja, nuk ka qenë çdo gjë ok-ej… Fatkeqësisht, veçmas këto tri vite ka jo qeverisje, por ka keqqeverisje”, ka thënë Beqiri.

Lëvizja Vetëvendosje nuk e ndanë këtë qeverisje në vite, duke e vlerësuar si të dështuar që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Sekretari i Përgjithshëm i këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj, ka thënë se qeverisja Thaçi 1 dhe Thaçi 2 shquhen për zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se për këto pesë vite, shteti i Kosovës nuk është integruar, nuk është anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare edhe këtë aspekt tashmë po bëhen negociatat e reja për rregullimin e brendshëm territorial.

Gjithashtu, ai ka thënë se këto pesë vite karakterizohen me shkatërrimin ekonomik të vendit nëpërmjet procesit të privatizimit, duke e rritur numrin e të papunëve në vend.

“Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, janë të vetmit të cilët janë pasuruar shumëfish në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme në Kosovë. Nëse ky do të ishte rezultat, atëherë plotësisht se po. Të gjitha aspektet tjera në Kosovë kanë degraduar dhe jeta e qytetarit të Kosovës është rënduar”, ka theksuar Molliqaj.

Kritika të ashpra kësaj qeverisjeje i adreson edhe anëtari i AAK-së, Ernest Luma, i cili ka thënë se në krejt këto pesë vjet në Kosovë ka pasur një qeverisje makiazhi dhe të pasuksesshme.

“Ka pasur pak progres e shumë dështime… Është rritur varfëria dhe është rritur shkalla e papunësisë. Të gjithë parametrat flasin se ka pasur shtim enorm të importit dhe rënie drastike apo hiq fare të eksportit”, ka theksuar Luma.

Madje, ai nuk ngurron të quaj si qeverisjen më të padenjë në pesë vitet e para të shtetit më të ri të Evropës.

“Në ditët e para të shpalljes së pavarësisë janë premtuar 100 njohje për 100 ditë, e as sot pas gati 2000 ditësh pavarësi, nuk janë bërë 100 njohje. Është premtuar rritje ekonomike, ka ndodhë thellim i krizës dhe thellim i situatës së rëndë sociale”, ka shtuar ai.

Ndryshe, edhe pak ditë na ndajnë nga shënimi i pesë vjetorit të pavarësisë së vendit, ndërsa Kosovën vazhdojnë të përcjellin problemet e vjetra siç është numri i madh i papunësisë, pensionet më të ulëtat në rajon, korrupsioni në nivel të lartë dhe krimi i organizuar. /Telegrafi/

Lini një koment