Nikoliq: Institucionet paralele mund të shuhen
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka paralajmëruar sot mundësinë që institucionet paralele serbe në Kosovë të zëvendësohen me të reja, që po ashtu do të udhëhiqeshin nga serbët.
“Kjo paraqet krijim të institucioneve të reja për serbët e Kosovës, por që do të udhëhiqen nga serbët. Këtu pushojnë institucionet paralele”, tha Nikoliq në një intervistë për televizionin Prva, transmeton agjencia Beta.
Nikoliq tha se Serbia, për shembull, do të hiqte dorë nga rregullimi i çështjes së shëndetësisë për komunitetin serb, nëse serbët në Kosovë mund ta bëjnë vet këtë, por që Serbia do ta mbante të drejtën për të ndihmuar, në qoftë se nuk do të kishte mjaft para apo kuadro.
“Veprojmë në atë territor sikur ai të ishte nën kontroll të plotë të Beogradit, gjë që nuk qëndron”, tha Nikoliq. Ai shtoi se ky propozim do të duhej të “kalojë” nëpër Kushtetutën e Kosovës dhe atë të Serbisë./Indeksonline/