LB: Dialogu në rrugë të gabuar
Lëvizja për Bashkim konsideron se dialogu politik me Serbinë, po hyn në fazën e tij të rrezikshme.
Duke ju referuar njoftimeve të “lehtësuesve “ të dialogut, se në raundin e ardhshëm të dialogut Kosovë-Serbi do të bisedohet për veriun e Kosovës, Lëvizja për Bashkim mendon se është rrezik afatgjatë përpjekja për të gjetur një zgjidhje për veriun e Kosovës në dialog me Serbinë, duke e heshtur çështjen e ndarjes së dhunshme të Mitrovicës dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës, apo duke e heshtur çështjen e pazgjidhur të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
LB-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos hyjë në shtigje të tilla, nga të cilat nuk ka rrugëdalje.
Lëvizja për Bashkim kërkon seriozitetin maksimal të Qeverisë së Kosovës dhe të të gjithë spektrit politik shqiptar në lidhje me dialogun dhe pasojat e tij.
“Rruga më e mirë në këtë situatë do të ishte ndërprerja e përkohshme e dialogut, fillimi i menjëhershëm i konsultimeve të të gjitha forcave politike të Kosovës dhe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në lidhje me interesin kombëtar dhe shtetëror nga dialogu me Serbinë, si dhe hartimi i një platforme të përbashkët për bisedime të cilën në fund do ta miratonim në Kuvendin e Kosovës. Përndryshe, pasojat do të jenë shumë të rënda dhe vështirë të riparueshme”, konsideron LB-ja. /Indeksonline/